Fundi i muajit shkurt do të sjellë shkrirjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nxjerrjen e Presidentit Ilir Meta nga sistemi gjyqësor. Ndërkombëtarët kanë dhënë ultimatum që Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të ngrihen brenda një muaji. Organet kyçe të drejtësisë duhej të ishin ngritur që një vit më parë, por ka pasur zvarritje në shumë aspekte. Por pas disa vendimeve të KLD, ndërkombëtarëve u ka sosur durimi dhe kanë rritur presionet ndaj klasës politike që të zgjedhin sa më shpejt kandidatët.
Një burim i gazetë në Partinë Socialiste tha se ambasadori amerikan dhe ajo e BE përmes përfaqësuesve të EURALISU dhe të OPDAT po ndjekin hap pas hapi të gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ e KLP nga Kuvendi. Po ashtu, ata kanë pasur dhe takime konfidenciale me deputetë dhe kryetarë partish dhe kanë kërkuar që të mos ketë asnjë vonesë. Për këtë arsye mazhoranca ka vendosur që të bëjë përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ dhe të KLP në datën 8 shkurt. Këtë të enjte në seancë plenare do të shkojnë 10 emra për KLGJ dhe KLP, por PD dhe LSI nuk do i votojnë dhe të hënën që vjen, pra në datë 5, nënkomisioni ad hoc do të rimblidhet dhe do të hedhë shortin për 10 emra të tjerë. Emrat që do të përzgjidhen do të quhen të miratuar edhe nëse nuk ka konsensus në seancën parlamentare të 8 shkurtit. Por sërish KLGJ dhe KLP nuk quhen të ngritura, pasi mungojnë 12 anëtarë nga prokuroria dhe gjykatat.
Por mësohet se ndërkombëtarët dhe mazhoranca po ndjekin një strategji për të mos lejuar asnjë zvarritje të mëtejshme. Anëtarët për KLGJ nga gjykata i zgjedh Konferenca Gjyqësore, ndërsa prokurorët për në KLP i zgjedh Këshilli i Prokurorisë. Mirëpo arsyeja se përse momentalisht nuk po zgjidhen emrat është sepse ata nuk kanë kaluar vetingun. Por, sipas burimeve të gazetës, ndërkombëtarët kanë kërkuar nga Komisioni i Pavarur i kualifikimit që në mes të shkurtit të nxjerrin rezultatet e vetingut për të 57 emrat që po verifikohen. Në proces verifikimi janë dhe kandidatët për KLGJ e KLP dhe për ta rezultatet do të dalin pas rreth dy javësh. Pas kësaj, mazhoranca do të vihet në lëvizje për të mos lejuar asnjë vonesë nga gjyqësori dhe prokuroria. Në ligjin për organet e reja ka një dispozitë, që përcakton se Kuvendi ka të drejtë që të kërkojë nga Gjykata e Lartë dhe prokuroria që të nisin procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve. Dhe plani i mazhorancës është që kjo të ndodhë në fund të shkurtit, duke ngritur në këtë mënyrë KLGJ e KLP.
Shkrirja e KLD dhe largimi i Metës
Ngritja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të thotë se do të shkrihet Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Presidenti i Republikës nuk do të ketë më akses në sistemin e drejtësisë. Mësohet se KLD ka nisur të shqetësojë ndërkombëtarët, sidomos pas vendimit që mori pak ditë më parë, ku nuk lejoi ndëshkimin e 13 gjyqtarëve. Mësohet se në takimet që deputetë të mazhorancës kanë pasur me përfaqësues të SHBA dhe BE, këta të fundit kanë qenë mjaft të shqetësuar nga këto vendime dhe si duket kanë rritur presionet për të ngritur sa më shpejt KLGJ, për të mos lejuar më që gjyqtarë që kryejnë afera të shpëtojnë pa u lagur.
Momentalisht KLD ka të drejtë të komandojë gjyqtarë dhe po ashtu të vendos mbylljen e karrierës së tyre kur dalin në pension. Por vendimi më i rëndësishëm është ai i masave disiplinore, pasi KLD vendos për ndëshkimin, e gjyqtarëve. Me ngritjen e KLGJ, KLD nuk do ekzistojë dhe njëkohësisht nis rrudhja e kompetencave të presidentit, i cli nuk do ketë më rol në drejtësi. momentalisht KLD drejtohet nga Ilir Meta, por që sipas udhëzimit të ndërkombëtarëve, ai me shumë gjasë në fund të shkurtit nuk do jetë më në këtë post./SOT