Një shqiptaro-amerikan, minoritar grek, dhe biznesmen i njohur i jep fund dilemave se kandidati potencial për Himarën do të ishte një tjetër Beleri, djali i Fredi Belerit.
Petro Gjikuria është emri me të cilin opozita do të garojë në zgjedhjet për bashkinë e Himarës më 4 gusht. Report TV mëson se kandidatura e Gjikurisë është konsensuale mes Partisë Demokratike dhe PBDNJ-së së Vangjel Dules dhe pritet të prezantohet zyrtarisht nw ditët në vijim.
Emri i tij vjen mes një klime akuzash për proces të parregullt dhe anti-kushtetues për zgjedhjet në Himarë e madje edhe për proces të montuar politikisht ndaj Fredi Belerit, për të cilin Gjikuria nuk i ka kursyer 8 apo 9 orë udhëtim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në protestat që zhvilloheshin para bashkisë Himarë për lirimin e tij.
Përplasja që Fredi Beleri solli mes Shqipërisë dhe Greqisë duket se i ka intimiduar si mazhorancën edhe opozitën, duke vënë përballë në një garë jo dhe aq të lehtë, dy minoritar grekë, Petro Gjikurinë e demokratëve dhe Vangjel Tavon e socialistëve. Kandidatura e Tavos përflitej qysh më herët, por u zyrtarizua vetëm pas mbledhjes së kryesisë së PS më 8 korrik 2024
Vetë ai, në një intervistë për Report tv e quan sfidë kandidimin e tij dhe ndonëse nuk e cilëson si premtim elektoral, zotohet se himariotëve do t’u zgjidhë problemin e pronave brenda muajit tetor.
“E kam konsideruar sfidë. Jam i bindur se mund t’ja dal për të trajtuar çdo shqetësim dhe problem që banorët e kësaj bashkie kanë pasur në të kaluarën apo që mund të lindë në të ardhmen. Do të ndjenë ndryshimin në të mirë të atij komuniteti të mrekullueshëm himariot. Deri në fund të tetorit do të pajisen të gjithë qytetarët e Himarës me certifikatat e pronësisë” tha Tavo pwr Report Tv.
Por teksa Tavo ka nisur me daljet e tij publike, Gjikuria i cili jeton dhe drejton bizneset e tij në SHBA që prej vitit 1991, ku njohët edhe si aktivist për promovimin e kulturës greke në kontinentin e largët, duhet të rikthehet për të marrë në dorë frerët e një fushate aspak të lehtë.
Begaj i dekretoi zgjedhjet në Himarë më datën 5 korrik, pasi KQZ i hoqi mandatin Fredi Belerit dhe zyrtarisht lindi vakanca në krye të bashkisë jugore.