Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka vijuar të enjten serinë e gafave të tij në fjalimet publike. E radhës erdhi në ditën e fundit samitit të NATO-s, mbajtur në Washington ku gjatë ligjëratës së tij, teksa po e ftonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në podium, Biden i drejtohet atoj si “President Putin”.
“Tani dua t’i jap fjalën Presidentit të Ukrainës, i cili ka aq guxim sa vendosmëri. Zonja dhe zotërinj, President Putin,” tha Biden.
Në sallë u dëgjuan zëra nga njerëz të ndryshëm, përfshirë dhe diplomatë e liderë botërorë nga e gjithë bota që thirrën, “Zelensky!” për të korrigjuar Biden. Më pas Biden u kthye te mikrofoni dhe tërhoqi gabimin duke thënë:
“Ne do ta mposhtim Presidentin Putin. President Zelensky. Unë isha shumë i fokusuar në mposhtjen e Putinit.”
Pas kësaj dëgjohet Zelensky i cili si për të kaluar me sportivitet këtë situatë të sikletshme thotë: “Unë jam më i mirë”.
Gabimi erdhi në fund të një fjalimi të fuqishëm të Bidenit para liderëve botërorë në Washington, i cili kishte për qëllim të përshkruante fuqinë e aleancës në zgjerim të NATO-s nën udhëheqjen e tij, duke kërkuar mbështetjen e re të madhe ushtarake për Ukrainën nga SHBA dhe aleatët. Mediat e huaja shkruajnë se gabimi ka të ngjarë të rrisë numrin e thirrjeve që Biden të largohet nga gara pasi performanca e tij në debatin presidencial ngriti pikëpyetje rreth mprehtësisë së tij mendore.