Është mbledhur për herë të dytë brenda ditës, Komisioni i Burgjeve lidhur me dhëniën e lejes për ish-kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Në mbledhjen e sotme pritet të përcaktohet vendimi nëse do t’i jepet leja Belerit për të shkuar për të kryer betimin si eurodeputet në Strasburg. Deri tani, sipas Drejtorisë se Burgjeve, ende nuk ka një vendim.
Beleri është një nga eurodeputetët e “Demokracia e Re”, partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së. Beleri, do të qëndrojë në burg deri në tetor, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit në Shqipëri, e cila gjykoi çështjen e tij në shkallë të dytë në Tiranë. Gjykata vendosi të lërë në fuqi dënimin fillestar prej 24 muajsh. Ai u dënua si në shkallë të parë ashtu edhe në shkallë të dytë për korrupsion aktiv. Nëse vendimi i apelit ia ul dënimin në 20 muaj ose më pak, atëherë ai do të lirohej menjëherë.
Ndërkohë më 5 korrik Beleri u shkarkua edhe si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, pasi KQZ vendosi t’i heqë mandatin. Atë ditë, Beleri, i pranishëm në mbledhje, por dhe mbrojtësit e tij, mbështetën idenë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shprehej për këtë rast, pa një vendim të Qeverisë që e shkarkonte atë nga detyra. Por sipas kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, vendimi mbështetej në të ashtuquajturin Ligj të Dekriminalizimit. Me urgjencë, Qeveria kërkoi më pas shpalljen e zgjedhjeve të reja në Himarë, nga presidenti, i cili po ashtu me shpejtesi dekretoi 4 gushtin si ditën e votimit.