Ndërkombëtarët kanë nisur të përgatisin terrenin për goditjen e korrupsionit në nivele të larta. Ngritja e SPAK po afron dhe mesa duket e gjithë vëmendja e tyre është te zbulimi i parave korruptive. Në ligje janë bërë një sërë ndryshimesh të rëndësishme, ku tashmë çdo pasuri e vënë nga abuzimet me detyrën do të sekuestrohet. Por tanimë ka nisur puna për të identifikuar ata emra që kanë vënë pasuri korruptive. Këshilli i Evropës ka nisur zbatimin e një projekti në Shqipëri, në kuadër të luftës ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Javën që lamë pas, në vendin tonë për 3 ditë me radhë ekspertë të KiE zhvilluan trajnime dhe diskutime për të luftuar pastrimin e parave. Sipas të dhënave të publikuara në faqen e KiE, interesant është fakti se gjatë trajnimeve, është rënë dakord mes institucioneve kryesore për të ndryshuar të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit. Sot prokuroria, Drejtoria e Pastrimit të Parave, disa ministri dhe shumë institucione kanë marrëveshje bashkëpunimi mbi bazë të të cilave këmbejnë informacione. Por KiE do të asistojë që të rishikohen marrëveshje në mënyrë që institucionet përgjegjëse të kenë akses më të madh në të dhënat e individëve të caktuar. “Përfaqësues të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Tatimeve, Drejtorisë së Doganave, Prokurorisë së Përgjithshme dhe ekspertit të Këshillit të Evropës, diskutuan kuadrin aktual ligjor e institucional dhe qasjet për këmbimin e informacionit në tryezën “Lehtësimi i bashkëpunimin mes agjencive dhe këmbimit të informacionit në Shqipëri”.
Pjesëmarrësit diskutuan qëllimet e parimet e bashkëpunimit mes agjencive të mbikëqyrjes, kushtet ligjore, çështjet operacionale, dhe aspektet organizative. Eksperti i Këshillit të Evropës dha shembuj të praktikave më të mira të bashkëpunimit, si dhe direktiva për draftin e kuadrit të punës për bashkëpunimin mes institucioneve. Pjesëmarrësit ranë dakord të mos përfshijnë shumëfishim e financimit në kuadrin e direktivave dhe diskutuan mundësinë e amendimeve në dokumentin aktual të Memorandumit të Mirëkuptimit që ndjek udhëzimet e dhëna. Ata ranë dakord të zgjerojnë nivelin e përfshirjes së institucioneve të tjera”, thuhet në raport. Qëllimi i diskutimit ishte lehtësimi i bashkëpunimit mes agjencive në fushën e hetimeve financiare.
Gjurmimi i llogarive bankare
Një konferencë e ngjashme është mbajtur një ditë më pas në Durrës po me ekspertë të KiE dhe të institucioneve shqiptare. Në fokus kanë qenë llogaritë bankare dhe transaksionet bankare. Ekspertët e KiE kanë dhënë asistencë dhe informacione mbi zbulimin e llogarive bankare të dyshimta. “Diskutimet e tryezës së rrumbullakët u zhvilluan në Durrës, ku u diskutuan sfidat me të cilat përballen autoritetet dhe këmbimin e informacionit. Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Drejtësisë, e Prokurorisë së Përgjithshme diskutuan dhe këmbyen opinione për këmbimin e informacioneve mes tyre, për transaksionet e dyshimta, tipologjinë e pastrimit të parave sipas rezultateve të hetimeve të mbyllura dhe nevojat apo problemet institucionale të hasura në koordinimin mes mbikëqyrësve”, thuhet më tej. Ekspertët shqiptarë kanë marrë eksperiencë për të mbikëqyrur më mirë sistemin bankar me qëllim zbulimin e parave të pista. Pra duket se tashmë ndërkombëtarët po përgatisin terrenin dhe me ngritjen e SPAK do nisë sekuestrimi i pasurive kriminale./SOT