Të gjithë zyrtarët e lartë të zhytur në korrupsion, vjedhje të fondeve e pasurive publike, kur dalin nga SPAK, thonë të njëjtën përgjigje:
– U thirra si person që kam dijeni”; mirëpo edhe pasja dijeni për një krim e mos kallëzimi, është bashkëpunim në krim.
Kështu tha dhe Artan Lame kur doli nga SPAK, por është marrë i pandehur për këto 7 vepra penale: “Shpërdorim detyre; korrupsion me falsifikime dokumentesh në bashkëpunim; përfitime të paligjshme; ndërtim pa leje; pastrim parash; fshehje të 15 pasurive dhe refuzim deklarimi”.
Në akuzat për korrupsion, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim e përfitime të paligjshme; është lidhja me bashkëshortët ndërtues Gentian e Gentiana Sula të firmës “AgiKons” e 6 të tjera.
Sipas raportit të BKH-së dhe kallëzimeve që ka SPAK, rezulton se Artan Lame ka bërë shumë krime pronësore me ndërtuesit Gentian e Gentiana Sula, me falsifikime në legalizime e hipotekime dhe me planimetri e genplane false, grabitje tokash e trojesh shtetërore dhe private.
Këto krime në favor të çiftit “Sula”, falsifikatori Artan Lame i ka bërë gjatë 10 viteve kur ishte drejtor ALUIZNI e sidomos gjatë periudhës mars 2019- mars 2023 si Drejtor i Përgjithshëm i Kadastrës, ku kishte në vartësi ALUIZNI-in, Hipotekat dhe Kthim-Kompensimin e Pronave.
Sipas të informacionit nga dosja e BKH-së, është konstatuar se në periudhën dhjetor 2013-shkurt 2023, Artan Lame i ka legalizuar Gentian Sulës 1350 apartamente e 250 njësi tregtare në pallate të ndërtuara pa leje në Tiranë, Vlorë, Durrës, Sarandë, Elbasan, Korçë, Kavajë, Shëngjin dhe 200 vila pa leje te komplekset “Kodra e Diellit”, shumica me dokumente false.
Përveç këtyre, Artan Lame i ka legalizuar objekte të ndërtuara pa leje në Lalz dhe në territorin e zonën bregdetare të Bashkisë Himarë, duke ia përshirë brenda projekteve e hartave investuese, të komplekseve rezidenciale, që çifti Gentian e Gentiana Sula ka ndërtuar atje pa leje.
Agjentët e BKH-së që po vazhdojnë të hetojnë punët e pista të Artan Lames, kanë konstatuar se 70% të këtyre legalizimeve, hipotekimeve dhe grabitjes së trojeve e tokave me letra false, si gjoja të njohura e rikthyera nga komisioni i pronave pranë Kadastrës, i ka kryer pas vitit 2018, kur gruaja e Artan Lames, u emërua shefe e dosjeve të zyrtarëve ish-spiunë, ku kryetare është Gentiana Sula, gruaja dhe ortakja e ndërtuesit Gentian Sula.
Në hetim, janë 15 pasuri toka, troje, apartamente, 2 vila 3 kate e 5 dyqane në Tiranë, Durrës, Vlorë, Qerret, Himarë, Sarandë, Korçë, 1 fermë- resort në Ersekë e shtesa pa leje në pallate.
Këto po hetohen, nëse ia ka ndërtuar e dhuruar të gjitha çifti “Sula”, apo ndërtues të tjerë si Florenc Gjikuria, Pëllumb Salillari, Bashkim Ulaj etj.; të cilëve, Artan Lame u ka legalizuar pallate e vila dhe u kanë dhënë toka shteti e private me letra njohjeje e rikthimi false.
Mes pasurive të Artan Lames, të zbuluara nga BKH, është dhe 1 apartament 108 m2, i cili rezulton të jetë ndërtuar pa leje në tokë shtetërore, kur ai ishte Drejtor i ALUIZNI dhe e ka legalizuar vetë, por pa pasur asnjë dokument për burimin financiar dhe firmën që e ka ndërtuar.
Të njëjtin krim, Artan Lame ka bërë dhe duke i legalizuar e hipotekuar trafikantit Helidon Gjikoka, me dokumente false, kompleksin “Ambel Beach” me 12 ndërtesa në Dhërmi, të cilin ia grabiti po me letra false pronarit legjitim Ilir Koka.
Për këtë rast, “Pamfleti” ka denoncuar faktin, që 1 nga 12 rezidencat te kompleksi “Ambel Beach” buzë detit në Dhërmi, prej 7 vitesh vazhdon të përdoret vetëm nga gruaja e Artan Lames, “ustallesha” Mirela Lame, me grup shoqesh e shokësh kur shkojnë për pushime verore e në fundjava, fakt që po hetohet nëse e ka në pronësi ilegale.(vijon)/Pamfleti