Ilir Meta, në prag arrestimi nga SPAK për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, mashtrim dhe ndoshta edhe si porositës vrasjesh, mund të jetë përfituesi më i madh i kullave dhe resorteve nga Tirana në bregdet, me vendime të KKT me në krye Edi Ramën.
Si mos të mjaftonin pallati në Laprakë në emrin e Monikës, vilat në Mjull Bathore pranë TEG në emrin e vjehrrës, vila me 11 WC në Gjirin e Lalzit, gati gjysma e Gjirit të Lalzit dhe gjysma e Kodrës së Diellit si pronar i kamufluar, godinës së LSI në ish Bllok etj., Ilir Meta, përmes të besuarve të tij deri tek ish shoferi i tij, ka marrë dhe po merr leje për kulla në Tiranë, kulla në Shkodër, resorte në Velipojë, resorte në Sarandë, Vlorë dhe sidomos kulla rreth Parkut të Liqenit.
Dyshimet janë të forta që Ilir Meta qëndron pas Abaz Dinos që ka marrë 5 kulla të Liqeni, pas Gentjan Sulës që pastron paratë e Fatime dhe Monika Kryemadhit dhe që pas Kodrës së Diellit po betonizon edhe Farkën, ndërsa ka marrë dhjetëra milionë euro para publike, pas Agron Çelës që ka përlarë Kafen e Madhe në Shkodër dhe ka ndërtuar Grand Europa Resort në Velipojë mbi pronë të tjetërsuar publike dhe para të dyshimta, pas Klement Balilit që ngriti resortin ‘Santa Quaranta’ në Sarandë me para të pista dhe inaguruar nga vetë Ilir Meta, pas Muharrem Berishës në emër të të cilit i ka kaluar godinën e LSI në ish Bllok etj.
Kulla e fundit 50 kate për shoferin e Metës
Në mbledhjen e fundit të zhvilluar këtë fillim korriku (2 korrik 2024), KKT me në krye Edi Rama, përpos të tjerave i ka miratuar lejen për ndërtimin e një kulle me 50 kate në Rrugën “Teodor Keko”, Tiranë”.
Kulla do ndërtohet nga “Xh & M” sh.p.k (ish Merkaj), “Alfazed” sh.p.k dhe “Smart Construction Invest” sh.p.k.
Pas kompanisë së dytë Alfazed qëndron biznesmenia Shefikat Ngjela, e cila ia ka kaluar aksionet të bijës, blogeres dhe financieres Ersi Ngjela.
Me kapital 46 mijë lekë, Alfazed ka si objekt kryesor import-eksport artikuj te ndryshem, industrial dhe ushqimor, por edhe punime dheu, muratur, betoni e beton arme, e punime shembjesh, ndertime civile etj.
Mes pasarelave të modës dhe financieres, Ersi Ngjela do t’i futet një kulle me 50 kate, bashkë me shoferin e Ilir Metës, Fatmir Merkaj.
Megjithatë, duhet theksuar se ndryshe nga Drilona Boçi, Elvana Gjata, Kejvina Kthella, Suada Sherifi, Trejsi Sejdini etj., të cilat u bënë financiere të parave të kokainës së burrave të tyre trafikantë, Ersi Ngjela ka administruar dhe po trashëgon bisneset e familjes së saj.
Në vitin 2001, Ilir Meta privatizoi Birra Tirana duke e kaluar në duart e Shefikat Ngjela, Luan Bregasi dhe Irfan Hysenbelliun.
Dy vjet më vonë, Shefikat Ngjela ka marrë edhe disa hidrocentrale në Bulqizë.
Ndëkaq, kompania kryesore që do ndërtojë kullën është “Xh & M” sh.p.k, pas të cilës qëndron shoferi i Ilir Metës, Fatmir Merkaj, i lakuar si mbulesa e pasurive të paligjshme të Metës.
Me kapital 2.4 milionë euro, kompania ka si objekt parësor tregtimin e artikujve ushqimore, industrial, elektroshtepiake, duhan-cigare, fruta-perime, materiale ndërtimi, nafte e nenprodukte të saj.
Asnjëra nga kompanitë nuk ka burime financiare për të kryer një investim me vlerë dhjetëra milionë euro, ndonëse mund të paraqesin disa kontrata kredie me banka të nivelit të dytë, të cilat përgjithësisht nuk mbulojnë as 10 % të investimit.
Por për paratë ndoshta ka menduar Ilir Meta. Në vitin 2011, Dritan Prifti deklaronte: “Fatmir Merkaj, mbulesë e Ilir Metës në biznese me 20 për qind në hidrocentrale dhe pallate e vila në Tiranë dhe Gji të Lalëzit. Berisha synon që Meta të bëhet kreu i opozitës?.
Edhe Agim Rrapaj ka dëshmuar në prokurori për Fatmir Merkajn: “Unë mbaj mend, që në muajin korrik të vitit 2009, unë së bashku me Fatmir Merkajn, jemi takuar në Dhërmi në plazh, në hotelin e Fatmir Merkajt me Ilir Metën. Ata njiheshin që më parë vetë dhe nuk janë prezantuar prej meje. Nuk i di rrethanat e njohjes së tyre dhe nuk ka rënë ndonjëherë muhabeti për këtë“.
Fatmir Merkaj, administratori i “Merkaj shpk”, kompani e cila u bë pjesë e bashkimit të shoqërive “Vëllezërit Tola”, për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Shushicë, për të cilin Meta i ndërhyri Priftit pasi do të merrte 700 mijë euro.