Mediat britanike i kanë bërë jehonë operacionit policor “Inkorporimi”, i zhvilluar me metoda proaktive, për shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Disa nga mediat kryesore britanike kanë publikuar foto, video dhe të dhëna për operacionin, duke vlerësuar angazhimin e Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimin me agjencitë ligj-zbatuese të Mbretërisë së Bashkuar.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK-un, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe autoritetet ligj-zbatuese britanike.
Gjatë operacionit u godit një grup kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Gjithashtu, u sekuestrua një arsenal armësh, 24 pistoleta dhe 1 kallashnikov, qindra fishekë, lazera që u montohen armëve speciale e shërbejnë për qitje në distancë, si dhe pajisje optike.
Ndër të tjera, u sekuestruan dhe veshje kamuflazhi, si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptopë dhe 2 armë të ftohta (thika).
Policia e Shtetit vijon punën në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet britanike, për kapjen e 3 shtetasve, të cilët dyshohet se janë fshehur në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilët Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Gjatë operacionit janë arrestuar shtetasit: A. H., B. T. dhe R. A., të tre banues në Tiranë. Operacioni u zhvillua në kuadër të procedimit të iniciuar në muajin prill të vitit 2023, nga Drejtoria e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.
Në muajin prill 2023, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, policia sekuestroi në Portin e Durrësit, një tjetër arsenal armesh (8 pistoleta) që do trafikoheshin drejt Mbretërisë së Bashkuar, me një furgon me targa angleze, drejtuesi i të cilit u vu në pranga.
Në drejtimin e SPAK-ut dhe në bashkëpunim të ngushtë me BKH-në dhe me autoritetet ligj-zbatuese britanike, vijon operacioni për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.