Dy orë pas përfundimit të votimeve për zgjedhjet e pjesshme në Himarë, kandidati opozitar Petro Gjikuria ka komentuar procesin zgjedhor përmes një deklaratë për mediat.
Pasi falënderoi bashkëqytetarët e tij për mbështetjen, Gjikuria shprehu bindjen se nesër do të jetë ai qytetari i parë i Himarës. Gjikuria shprehur rezerva për procesin, duke akuzuar socialistët se aktivizuan administratën shtetërore për të bërë presion ndaj himarjotëve.
Ai po ashtu bëri thirrje që procesi i numërimit të jetë i qetë dhe verdikti i qytetarëve tashmë në kuti të mos preket apo devijohet.
“Himarjotët folën, tani na ka ngelur të numërojmë kutitë dhe asnjëri nuk do t’i prekë ato. Himarjotët votuan për djalin e tyre. Unë do të jem edhe këtu dhe nesër për të punuar për Himarën. Duhet të dini një gjë se këtu në këtë fushatë kishin zbritur pothuajse gjithë administrata shtetërore që me kërcënime dhe presione ka trembur një pjesë të himarjotëve. Por himarjotët nuk u trembën, pjesëmarrja është diçka më e lartë.
Himarjotët nuk e ulin kokën. Rezultati është verdikti. Kërcënime dhe presione ka patur shumë siç edhe ju vetë e keni parë. Gjithë administrata, deputetë dhe ministra kanë qenë këtu. Ata kanë punën e tyre unë timen. Himarjotët te fytyra ime shikonin një shpresë. Këtu njerëzit duan diçka që nuk e kanë parë për 12 vite dhe e panë te fytyra ime.”
Një mesazh direkt, Gjikuria e pati edhe për rivalin e tij, Vangjel Tavo, i cili në një intervistë për A2 CNN i kërkoi të mos largohej në Amerikë në rast humbje por të punonte me të si nënkryetar i bashkisë së Himarës pas zgjedhjeve.
“Unë do jem fitues dhe Tavoja po të dojë të vijë të punojë për mua. Është i mirëpritur. Unë jam fitues i këtyre zgjedhjeve dhe himarjotët më kanë besuar me votën e tyre. Këtu me gjithë presionet ishte diçka e veçante që do më ngel në memorie. Opozita ka punuar për mua dhe mbështetja është gjëja më e mirë që më dhanë.”