Puna më e madhe për hedhjen e themeleve të Teatrit të ri Kombëtar ka përfunduar, ndërsa punohet me ritme të mira që brenda vitit 2025 të mbarojë ndërtimi i karabinasë.
Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale momente nga punimet në kantierin e Teatrit të ri Kombëtar.
“Vijon puna për ndërtimin e Teatrit të Ri, një projekt që do të rikthejë magjinë e skenës teatrore në zemër të Tiranës” shkroi Kryeministri Rama.
“Me investime të reja dhe teknologji bashkëkohore, po ndërtojmë një vend të dedikuar artit dhe kulturës, ku do të ngjiten në skenë artistët më të talentuar të vendit dhe jo vetëm”, shtoi ai.
Projekti i Teatrit të Ri është krijuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë.
Godina e re ofron një arkitekturë me dizajn modern dhe krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore.