Kryebashkiaku i ri i Himarës, i dalë nga zgjedhjet e pjesshme të 4 Gushtit, bëri disa premtime të hapura për komunitetin gjatë fushatës, po theksoi se nuk do bënte dallime politike dhe do punonte për të gjithë qytetarët.
Vangjel Tavo bëri edhe deklarata në dy gjuhë, shqip dhe greqisht, duke respektuar minoritetet edhe në rrjetin social Facebook, duke i quajtur “zgjedhje për zgjidhje”.
“Sfida jonë e përbashkët është vetëm puna për të përmbushur çdo nevojë të familjeve dhe të gjithë komunitetit himarjot”, do shprehej ai, duke bërë edhe thirrje për një bashkim pa dallim origjine, feje apo bindje partiake, me qëllim përparimin e Himarës. Ai la detyrën e prefektit të Vlorës, që e mbante prej disa muajsh, me qëllim garimin në zgjedhjet lokale nën siglën e PS-së, parti që ka kontribuar në fillimet e tij si deputet, para se të kalonte te LSI dhe më tej të rikthehej te socialistët.
Disa nga premtimet e Tavos në fushatën elektorale:
-Deri në fund të tetorit, do të pajisen të gjithë qytetarët e Himarës me certifikatat e pronësisë
-Nuk do kryhet asnjë veprim dhe nuk do merret asnjë vendim pa aprovimin e banorëve dhe institucioneve legjitime.
-Zhvillimi i turizmit
-Punë dhe betejë bashkëkohore, evropiane, multikulturore, të zhvilluar, të gjelbër, me standarde për banorët, vizitorët dhe turistët, për rritjen e një ekonomie që ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të thjeshta.
-Zgjidhjen e çështjeve që herë pas here i kaluan kufijtë e bashkisë së Himarës dhe u bënë probleme ndërshtetërore, e si rrjedhim krijuan ftohje të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve fqinj. Pra përmirësim të marrëdhënieve me Greqinë.
-Bashkëpunim gjithëpërfshirës, madje edhe me Eurodeputetin Fredi Beleri, si edhe me këdo institucion apo person tjetër, në të mirë të Himarës, të Grekëve të Shqipërisë dhe të marrëdhënieve normale midis Greqisë dhe Shqipërisë.
-Pas 4 gushtit Himara do ketë avokatin e vet në të gjitha institucionet shtetërore