Artisi i Popullit, Viktor Gjoka, u lind më 4 korrik të vitit 1922 në Peshtan te Tepelenës dhe vdiq më 26 tetor 2007 në Itali. Aktivitetin artistik e filloi në rininë e tij me lëvizjet amatore. Në vitin 1946 nisi punë në Teatrin Popullor (sot Kombëtar) dhe punoi deri në vitin 1971.
Pa mbushur 20 vjeç realizon rolet e para ku kujton se sa e pashpresë qe përballja me spektatorin. Batuta e vetme nuk mundi të artikulohej dot nga ai edhe pas provave të shumta me idhullin e tij Mihal Popi.
Ndër rolet më të suksesshme përmendim Hliestakovin në veprën “Revizori” të Gogolit (1952), “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Fytyra e dytë”, “Karnavalet e Korçës”. Pas rreth 13 viteve punë në teatër, në vitin 1959 mundi të marrë një bursë studimi për regjisurë në Bashkimin Sovjetik për dy vjet. Me ndërprerjen e marrëdhënieve në vitin 1961 kthehet në Tiranë për t’i vazhduar ato në Konservatorin e Tiranës.
Rikthehet në Teatrin Popullor në vitin 1991 me këmbënguljen e drejtorit Artur Zheji, ku vishet me rolin e Spirakes në komedinë rumune “Valsi i Titanikut” (premierën e luan Roland Trebicka, Gjoka aktron në natën e dytë pasi ishte dublant) dhe më pas me rikthimin e komedisë që i dha suksesin në fillimet e tij në teatër “Revizori”, këtë radhë në regjinë e vetë Gjokës.
Filmi artistik ka qenë më pak i lëvruar, por edhe aty kemi një mori personazhesh si të zhanrit të komedisë, ashtu edhe të atij dramatik. Kujtojmë këtu “Kush është vrasësi”, “Vdekja e burrit” “Zëvendësi i grave”, “Babai i studentit”, “Historiani dhe kameleoni”.
Nga punët në teatër janë të regjistruara vetëm me audio disa nga veprat e vëna dhe ndodhen në arkivat e Radio-televizionit Shqiptar. Kujtojmë “Rrëshqitjen” e Besim Levonjës . Pristanda e Karaxhales,”Një letër e humbur”, “Shërbëtorin e dy zotnive” të Karlo Gordonit, “Banjën” e Majakovskit në rolin e Ivan Ivanoviçin e Majakovskit, etj.
Në veprën “Majlinda” të Xhemal Brojës, Viktori si i persekutuar pati një rol të vogël, por prezenca e një kritiku polak bëri që pena e tij të shkruajë për ‘atë infermierin brilant, i cili ngjasonte me Aleksandër Moisiun’.
Mundi të marrë titullin “Artisti i Popullit”, por nuk e mbrojti dot nga ajo çka do t’i ndodhte. U ndëshkua dhe u dëbua, por shpirti i tij nuk u shkëput asnjëherë nga skena. Dashuria për teatrin dhe spontaniteti i tij si aktor dolën më të forta se burgu i persekutimit artistik dhe njerëzor.
E njoha Viktorin rreth viteve 80 kur ai po vuante dënimin në Bërzhit. Fshati pranë Tiranës po njihej me historitë e shumta të aktorin i cili po konsumonte artin e tij në aktivitetet modeste të kësaj zone. Në atë kohë ai donte te vinte në skenë dramën “Luiza Miler”, ndërsa mua më shihte si një alternativë të mundshme.
Këtu nisi interesimi im për aktrimin. Kujtoj pasionin dhe detin e thellësisë që transmetonte që në takimet e para. Nuk kisha dëgjuar asgjë deri në atë kohë për bëmat dhe se cili ishte ky burrë simpatik e gazmor për teatrin popullor (kështu quhej për vitet që i referohem).
Viktori ishte ashtu siç e kemi parë rrallë në filmat e fundit. Shëndet mesatar, rrumbullak, energjik, fjalëshumë e kureshtar, por me një buzëqeshje që hera- herës i qahej kur nisnin diskutimet për të shkuarën e tij, duke i lënë vendin trishtimit dhe lotëve.
Jemi mësuar të dëgjojmë për të rinj aktorë të talentuar dhe daljet e tyre rutinë në të gjitha emisionet kulturore (dhe jo vetëm) kur bëhet fjalë për premiera të reja apo profile artistësh. Dëgjojmë kaq shumë për ta në çdo kronikë kulturore, saqë emrat e tjerë sfumohen në heshtjen e arkivave gojëkyçur.
Aktorët si Viktori apo shumë të tjerë janë pa interes (vetëm nëse flitet për vdekjen apo skandalet e tyre). Kjo është koha e konsumizmit të kudogjendur, dhe e “kokoshave majë gardhit”, ku i urti shtypet dhunshëm.
I kishin mbetur kaq pak “miq” nga ai kolektiv i rrahur nga pushteti sa diskutonte vetëm kalimthi për shfaqjet e fundit. Kjo bëri që Viktori të mos shkelte shpesh në atë godinë. Shijonte bisedat dhe kënaqësitë e vogla me amatorët apo aspirantët për aktorë. – Jam më i qetë me ta – më thoshte Viktori , “nuk gjykojnë për të shkuarën time, e më shohin me dritë për të ardhmen”.
Me ta ripërjetonte emocionet e harruara në rrëfimet që nuk i ndaheshin kurrë. E shkuara në teatër, ish gjithçka për të. Mungesa në skenë zëvendësohej me ripërjetimet e copëzave “hit” që i sollën suksesin që ne sot po mundemi të sjellim në vëmendjen e lexuesve tanë.
Fliste me pikëllim për mbledhjet e kolektivit, akuzat, apo “miqtë” që fërkonin duart për mundësinë e largimit të aktorit. Sytë i shkëlqenin kur rrëfente copëza nga rolet, ndodhitë me adhuruesit apo bashkëpunimet me regjisorët shqiptarë e Rusë. Por le të kujtojmë çfarë ndodhi me Viktorin e atyre viteve.
Atmosfera në teatrin e viteve ‘60-‘70
Në vitet 60- 70 teatri ishte strehëza më e preferuar për artdashësit, pasi aktivitetet e kontrolluara e kishin asfiksuar vendin me propagandën pushtetare. Shfaqjet, aktorët, regjisorët, repertori, vëmendja por dhe pakëz nga liria e romanticizmit a marrëdhëniet më normale mund të prekeshin nga spektatorët që çdo natë mbushnin sallën.
Biletat e shitura prej javësh nuk plotësonin dot të gjitha kërkesat e qytetarëve fatlumë Tiranas. Aktorët kishin një luftë të heshtur deri në momentin e marrjes apo fitimit të rolit, pasi fluksi i shfaqjeve bënte që shumë të ishin të dubluar.
Grupi më i mirë merrte premierën, por edhe dublantët kishte fatin të bënin më të mirën e tyre pasi shfaqjet ishin mjaftueshëm. Emrat e njohur të teatrit luftonin shumë për të qenë pjesë e premierës, duke përftuar kështu edhe grupet përkatëse të shfaqjeve në vijim.
Por, ata nuk ishin në një palë (një pjesë ishte edhe fanatike e pushtetit popullor) me censurën, direktivat partiake apo “pastërtinë morale” duke bërë që shumë heronj të tkurreshin nga presionet e rrezikshme dhe paktizonin mbijetesën e tyre. Kish nisur një luftë e heshtur ndaj dy problematikave më të rëndësishme për kohën, “agjitacion e propagande” dhe “problemet e moralit”.
Shumë emra aktorësh kërcënoheshin nga “partia” duke vënë në lëvizje mekanizmat e komitetit të partisë, të cilët shihnin në vrimë të gjilpërës çdo aktor sado i dashur për publikun të ish. Në këtë sitë qenë shumë nga emrat e rëndësishëm të teatrit, si Sandër Prosi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, por për emrat në veçanti do të flasim në shkrimet në vijim. Ky fat i takoi edhe Viktor Gjokës.
Ishte koha kur magjia e artit të shtatë, kinemaja, ish bërë ambicia dhe ëndrra e gjithë trupës së aktorëve. Kishin nisur aventurat e para filmike (filmi “Tana”( 58), “Oshëtim në bregdet”, Horizonte të hapura, “Dueli i Heshtur”, “Plagë të Vjetra”). Ky zhvillim aktorët i bënte të pavdekshëm në krijimtarinë e tyre, por njëkohësisht mprehte edhe thikat e passhpinës.
Gjoka në këtë kohë nuk kishte mundur të filmonte asnjë shfaqje në teatër, pasi ende nuk qe kthyer në traditë. Ndërkohë që emri i të riut nga Tepelena kishte nisur të tërhiqte vëmendjen falë përkushtimit, spontanitetit, improvizimit dhe punës me figurën artistike. Kur pjesa e “Revisorit” të Gogolit po vihej në teatër, puna kish nisur me aktorë të tjerë.
Por kjo nuk e pengoi Gjokën të merrej “fshehurazi” me provat për figurën e protagonistit, Hljestakovin. Viktori ende nuk pati studiuar për aktrim, ndaj mëdyshja e regjisorit e bënte të punonte vetë. Dhe suksesi ishte i pamatë. Këmbëngulja dhe puna e tij mori shpërblimin e ëndërruar.
Ky personazh e klasifikoi aktorin e ri automatikisht në qendër të vëmendjes dhe nga këtu, qe më i preferuari i regjisorëve, sidomos në zhanrin e komedisë. Spontaniteti, improvizimi, xhonglerimi tipik me figurën e bënë Viktorin mbretin e spektatorit.
Në Shqipërinë e atyre viteve, adhurimi për artistët ishte i vetmi emocion i lirë dhe i pakushtëzuar. Pas shfaqjeve të super suksesshme, Gjoka që ndërkohë ishte lumturisht i martuar dhe me fëmijë, gjatë ecjeve në qytet shoqërohej me batutat e roleve apo kërkesat për autografe. Pas kësaj shfaqjeje nisën sukseset e tjera, të cilat u bënë edhe shkolla e shumë aktorëve tanë.
Skandali
Në këtë kohë nisi të pëshpëritej për “historinë skandaloze” dhe turbulluese – aktori i shquar i teatrit popullor ka lënë shtëpinë, gruan dhe fëmijët dhe ka vënë kurorë me një vajzë gjimnaziste, shoqen e vajzës së tij. Pas kësaj, Viktorin e hodhën në prodhim, duke i privuar edhe të drejtën për të luajtur në teatër.
Ai tashmë ishte njëri nga të larguarit në “gjirit e ngrohtë të klasës punëtore”. Po atë nuk e la, atë çupëlinën bukuroshe, që i ishte ngjitur keqas. Ish 17-vjeç, dhe marrosja e saj verbale me Hljestakovin, Xha Halilin apo Mihallaqin, bëri të flitej gjatë. Ajo, Elena shpërfillëse e një opinioni të frikshëm, mohuese e familjes së saj, e shoqërisë, verbohet për një aktor të madh, por dhe për një burrë gati të të pesëdhjetave, aspak të bukur.
Kjo grua e re nuk iu nda në asnjë moment përpos vështirësive, të cilat nuk i mendonte se do i sillte dashuria e tyre. Në një nga intervistat e tij Viktori pohon se “Njeriu bie në dashuri si në një gropë të errët dhe shikon nga të kapet e të dalë përsipër. Por unë mbeta brenda dhe nuk dola dot.
Por grua e mora, nuk e mbajta dashnore si shumë të tjerë”, madje njëherë provon të shkojë në zyrat e komitetit të partisë me shpresën se pas kaq vitesh mund të kishte shpresë për t’u rikthyr në teatër, ndërsa ai ju përgjigj – “Ah, more Viktor Gjoka, ç’na bëre”, Pse na e bëre si lopa more? I dhe një shkelm kusisë dhe na e derdhe qumështin”.
“Po unë qumështin e derdha, i thotë Gjoka, por të na rrojë lopa, se lopa bën tjetër qumësht”. “Ah, për këto je i zoti ti, por, këtë që bëre… do ta vuash”. “Pse kapeni me mua që mora një nuse të re”, i thotë Gjoka. “Unë e bëra këtë mëkat. Po Babë Myslymi…?! “Pse, ore, Babë Myslymi je ti?!”.
Vendimi për ta larguar nga teatri ishte pas disa mbledhjesh me kolektivin. Por a do të mundej aktori të shkëputej nga ai teatër që i dha aq emocione? -Flitej se kur binte shi dhe njerëzit mbylleshin në strehëzat e tyre, nga lagja e Tiranës së re nga ku ai banonte, dilte dore për dore një çift duke bredhur rrugëve për t’i mbajtur këmbët nga Teatri Popullor nën pishat e errësirës me një hije trishtimi.
Mbanin vesh, njëri shkëputej, tjetri rrinte në këmbë dhe ai që ish shkëputur (Viktori) puthte dyert dhe muret e teatrit, pastaj binte në gjunjë, pëshpëriste dhe bënte kryq. Ishte kjo periudhe kur “armiku” Viktor Gjoka nuk mundej të siguronte as bukë në shtëpi, madje vete ai ka pohuar se shkonte dhe rrëmonte në kazanët e mbeturinave kotheret e bukës për t’i pastruar e servirur si ushqimin e ditës.
Qarkullonin fjalë se bezdisjet e njerëzve të policisë (80 lekshave) ishin normalitet për netët e tyre, pasi komenteve të turpshme me zë të lartë i bashkohej edhe grushtimi i dyerve shoqëruar me fjalë fyese për të nxitur reagimin e çiftit. Fëmijët shiheshin rrallë, ndërsa gruaja e tij e re, dilte pak dhe kurrë vetëm. Pas kësaj nisi një “rehabilitim” i Gjoka-ve. E shoqja nisi punë si shitëse buke, ndërsa Viktori filloi të aktivizohej tek-tuk me ndonjë film. Kjo ishte edhe koha më e qetë për të projektuar edhe fëmijët e tyre.
Largimi
Në vitin 1997 largohet në Itali, aty nis gjithçka nga e para. Kampe, përpëlitje, miq të rinj … deri në momentin kur njihet me konteshën Romane, e cila u robërua nga elektriciteti i aktorit tonë, duke bërë që t’i siguroje strehë atij dhe familjes si shpërblim për artin e bukur.
Pas kësaj shkruhet një histori më e qetë për Viktorin. Nis të jetë i lirë me aktivitetet që zhvillonte me emigrantë, krijon shoqatën e artistëve në pension “DEA”, vendos pjesë dhe bën të tërheqë vëmendjen e gjithkujt që interesohet për teatrin. Realizon filmin artistik “Tirana në Europë” pa humbur në asnjë moment kontaktin me Shqipërinë.
Shoqata “Dea” i krijoi mundësi të realizonte të pamundurat e së shkuarës, e megjithëse në një moshë jo shumë optimale, ai vazhdoi të dominojë. Interpretoi në shqip, italisht, greqisht. “Jam i sigurt se teatri bën pa mua, por unë nuk bëj dot pa teatrin” – thotë Kadri Roshi dhe po i të njëjtit mendim ishte edhe Viktori. Për të qenë pranë teatrit, ai i pranoi të gjitha sfidat.
A ishte teatral?!
Teatraliteti që kryesisht ndjehej te aktorët në atë periudhë nxitej më shumë edhe nga fakti i ngritjes se zërit apo mimikës së ekzagjeruar pasi salla e madhe ishte pa akustikë dhe spektatori duhej ndihmuar të kuptonte tekstin e veprës. Ndërkohë që aktorët, të cilët po merreshin me filmin po e largonin pak nga pak këtë dukuri.
Filmi i mësoi aktorët e kastit, të qenë më të vërtetë dhe më të besueshëm, duke bërë që interpretimi i tyre të ishte më i natyrshëm. Viktori duke mos e pasur mundësinë e realizimit të asnjë filmi, rrezikohej më shumë nga kjo lojë, gjë që e ndeshim pjesërisht në filmat e pakët që mundi të realizonte. Por teksa dëgjojmë pjesët e regjistruara shohim se ky interpretim ishte i natyrshëm për të gjithë trupën e aktorëve.
Viktori nuk e pati shansin t’i filmoheshin shfaqjet, apo t’i organizohej diçka speciale në teatrin ku ai u formua dhe la aq shumë, madje nuk ka të mbjellë as edhe një pishë me emrin e tij, siç e kanë një pjesë e kolegëve të teatrit, pasi ishte ende gjallë kur u mbollën në atë oborr ku orët ishin të pallogaritshme.
Megjithatë ne ende flasim për figurat e tij falë asaj çka na ka mbërritur nga rrëfimet e kolegëve apo spektatorëve që mundën të prekin lojën e Viktor Gjokës. Shiritat e regjistruar në radio dhe koleksioni modest i filmit, vetëm sa munden të na kujtojnë se dikur ka qenë edhe një aktor, i cili për shkaqe banale, persekutohet dhe i ndalohet ushtrimi i profesionit që donte aq shumë, nga teatri.
– Kanë qenë kolegët-aktorë ata që më kanë thënë “Sa bukur e ke luajtur këtë gjë”, “Sa bukur ke qëlluar në këtë rol” dhe me një sy kritik të vëmendshëm më kanë treguar detajet e filozofisë sime të aktrimit – thotë Viktori.
Nga ana tjetër politika, gjithmonë ka qenë në rivalitet me artistin. Ajo e ka anashkaluar atë, vazhdimisht duke e minuar me mungesën e investimeve për ta. Janë fatlumë të gjithë ata që kanë mundur ta shohin në skenë, fatkeq ata që nuk kanë mundur ta shohin, dhe të dëshiruar për ta parë do të ketë gjithmonë!-Nga Raimonda Shundi, /G.SH/