Adriatik BALLA
Lojtarët kuqezi po kalojnë momente të mira me skuadrat e tyre në Europë, sidomos lojtarët që luajnë në kompeticionet e UEFA-s, por një pjesë janë në ankth pasi nuk kanë gjetur destinacionin e duhur për sezonin e ri. Një nga elementët që përflitet më shumë është padyshim Armando Broja, të cilin e kërkojnë shumë klube por asnjëri nuk firmos me të. E dinë që ka talent, por të gjithë klubet e interesuara dyshojnë dhe e duan në huazim për një vit. Por Çelsi ka vendosur ta shesë e të mos e dërgojë më jashtë në formë huazimi. Madje i ka vendosur edhe kufi për kartonin e tij, një shifër që shkon deri në 30 mln euro. Nga ana tjetër, për Mario Mitajn që kishte goxha interesime nga klubet europiane sikur është zbehur ditët e fundit domosdoshmëria e largimit nga Lokomotiva e Moskës, ndaj shkodrani mund të mbetet në superligën ruse.
Situata me Brojën
Armando Broja është kthyer në emrin më të lakuar në merkaton e futbollistëve në Serinë A, teksa mediat përtej Adriatikut e shohin atë vazhdimisht pranë klubeve më në emër si Milan, Juventus, Inter apo Napoli. Por për anglezët, destinacioni i tij mund të jetë tjetër. Sulmuesi pritet të largohet nga Çelsi në ditët në vijim por jo për të shkuar drejt një klubi italian. Aty Broja do të ishte padyshim një futbollist zëvendësues, ndërsa ai kërkon një rol protagonisti. Këtë mund t’ia ofrojë klubi i Ulverhempton, i cili prej kohësh e ndjek me interes lojtarin shqiptar. “Ujqërit” edhe në janar ishin interesuar për të, por marrëveshja në fund nuk u realizua. Sipas mediave britanike, ata tani pritet të kthehen në garë me ofertë konkrete për Brojën dhe Çelsin për të finalizuar transferimin e sulmuesit shqiptar i cili kërkon një vend ku të tregojë se sa vlen pas një sezoni të fundit zhgënjyes.
Mitaj titullar dhe protagonist në fitoren e Lokomotivës së Moskës
Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, që në dy javët e para qëndroi gjatë gjithë kohës në stol, u aktivizua në minutën e 80-të të ndeshjes që Lokomotiva e Moskës luajti në transfertë me Akhmat Groznin. Teksa po luhej minuta e dytë shtesë, Mitaj sheh nga sulmi dhe pasi u shmanget kundërshtarëve pason për shokun e skuadrës, Batrakov, i cili në rënie e sipër arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Ky ishte, në fakt, goli i pestë për Lokomotivën e Moskës në këtë ndeshje, teksa më herët kishin shënuan Vorobyev, Niamsy (dy herë) dhe Rakov. Një start i mirë për Mitajn, që e nis sezonin pas aktivizimit me Shqipërinë në Euro 2024, ku luajti në të tria ndeshjet si titullar. Theksojmë se Mitaj ka marrë interesimin e shumë klubeve gjatë javëve të fundit, por duket se i njëjti problem që shoqëron Brojën po shoqëron edhe Mitajn. Të dy shkodranët kanë cilësi, janë talente në pozicionet e tyre, por klubet ngurojnë të bëjnë blerje të shtrenjta për lojtarë që s’janë provuar plotësisht. Me pak fjalë, të gjithë klubet e interesuara e dinë që Broja është talent, por asnjëri nuk guxon të paguajë miliona tek Çelsi që ta marrë një herë e mirë Brojën, me frikën e një dëmtimi të ri, apo dhe dështimit çka do të hidhte në erë investimin. Pra ata e shohin Brojën si blerje me risk të lartë, edhe pse janë të bindur se ai ka talent.