Adriatik BALLA
Vështirë se do të ketë në të ardhmen për së shpejti një garë të atillë emocionuese si ajo e 100 metrave në finalen e madhe në Paris 2024. Ishte një garë magjike, pasi të tetë konkurrentët e mbyllën garën poshtë 10 sekondave dhe të tetë ishin pranë medaljes së artë, aq e vogël ishte diferenca mes tyre.
Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga zhvillimi i garës, ajo vijon të tërheqë vëmendjen në rangun e specialistëve dhe mediave të ndryshme, për “egërsinë” që e karakterizoi nga fillimi deri në fund dhe që në fund e fitoi ai që në fillim ishte pas të tjerëve. Gjithçka e bukur me atletikën lidhet në veçanti me këtë garë. Pra, finalja e 100 metrave për meshkuj, një ndër garat më të ndjekura të Olimpiadës, ishte spektakolare edhe në Paris, me një rivalitet madje të padëshmuar më parë. Nyoah Lyles e fitoi medaljen e artë në foto-finish, me diferencat mes të tërë grupit që ishin thuajse të papërfillshme.
Atleti Amerikan Lules la pas Kishane Thompson të Xhamajkës, me vetëm 5 të mijtat e sekondës (9.784 me 9.789) për të siguruar një fitore nga ato që të lënë pa frymë. Për të kuptuar se çfarë gare ishte, mjafton fakti se të 8 garuesit e mbyllën me një diferencë maksimale prej 0.12 sekondash nga vendi i parë. Oblik Sevilla, xhamajkani i vendit të fundit ndali kronometrin në kohën 9.91 sekonda, që do ti kishte dhënë atij vendin e katërt në Tokio 2021. Secili prej të 8 finalistëve ishte nën kufirin e 10 sekondave, diçka që ndodhi për herë të parë, duke e kthyer edhe zyrtarisht spektaklin në Stade De France në garën më të shpejtë të të gjitha kohërave.
Ndërkohë, po bën bujë në rrjet si shpjegues i garës dhe një foto e kapur që përcakton pozicionin e çdo garuesi që nga fillimi e deri në fund të garës, duke treguar se sa pranë ishin të gjithë me fitoren, ndërkohë që edhe vetë Noah Lyles që triumfoi në fillim të garës ishte i fundit, por natyrisht me diferencë minimale nga të tjerët.
Turma që ishte e pranishme në stadium, përjetoi me ankth fundin e garës pasi ju duhej të shikonin mesazhin në ekranet gjigande me foto finishin për të kuptuar se në çfarë pozicioni kishte përfunduar secili prej 8 garuesve.
Shpejt u konfirmua gjithsesi se Lyles falë veprimit të tij në finale kishte bërë mjaftueshëm për të fituar garën, edhe pse nuk kishte qenë pretendent për të fituar deri në metrat e fundit të garës, siç dëshmon edhe fotoja me imazhet e kapura nga sportistët përgjatë çdo momenti të 100 metrave, që këtë herë konfirmoi vërtet se pse është një garë kaq spektakolare.