Një nga aktorët e mirënjohur të “brezit të artë” të skenës dhe ekranit shqiptar, Ymer Bala, feston 79 vjetorin e lindjes.Ymer Bala lindi në Shkodër me 16 gusht të vitit 1945
Pavarësisht se prej vitesh jeton përtej Atlantikut bashkë me familjen, Bala vijon të ketë lidhje të forta me kolegët e tij të Teatrit “Migjeni” dhe të jetë shumë aktiv në rrjetet sociale edhe përtej artit.
Mjeshtri Ymer Bala ka nje galeri shumë të spikatur rolesh ne skenën e teatrit por edhe në kinematografinë shqiptare. Ai është pjesë e “brezit të artë” të artistëve shkodranë, i cili se vështirë do të përsëritet.
Meqë jemi te vitet dhe largësia e tyre, dua të sjell në mendje dhe takimet e mia me Ymerin, djaloshin e qeshur, gazmor e simpatik. Gjithmonë kam menduar se natyra e tij nuk njeh plakje. Them që nuk jam gabuar. Për të mos i humbur rrugën e viteve, po ndalemi te vitet… Ishte viti 1994, plot 24 vjet më parë, asokohe unë gazetar në Radio Shkodra, kur aktori Ymer Bala qe ftuar si personazh në emisionin letrar-artistik. Çfarë kisha atëherë në mendje, që e kam edhe sot, po e shpreh: “Aktori i teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, Ymer Bala, është një nga më potentët. Tanimë ai ka ende se çfarë t’i japë teatrit dhe interpretimit dramatik shqiptar. Kjo është arsyeja që Ymeri shkroi këtë libër. Në faqet e tij, mes tjerash, do të gjeni shumëçka, botë dashurie dhe ëndrrash, botë nga bota e bukur, fisnike e plot dinjitet e Ymer Balës. Tamam aromë Shkodre!” deklaronte gazetariXhahid Bushati
E pas këtyre fjalëve, që burojnë nga shpirti poetik e aktoresk i Ymerit, me të vërtetat e tij njerëzore si në jetë dhe në skenë, portreti do t’i mbetej i mangët po të mos shtonim edhe vlerësimet ndër vite të kolegëve për artistin Bala:
– Elez Kadria, regjisor: “Në realizimin e figurës i kushton vëmendje anës sociale të saj. Marrëdhëniet me regjisorin dhe aktorët i ndërton mbi raporte të drejta. Si në punë, edhe në jetën jashtë skene ai është po aq i thjeshtë”.
– Tinka Kurti, aktore: “E kam pasur partner që kur ishte nxënës. Është i talentuar dhe i disiplinuar. Aktori nuk shqetësohet kur ka atë partner, përkundrazi, gëzohet se është i ngrohtë në rol, është komunikues. Ndjej krenari që stafetën tonë do ta marrin në duar aktorë të rinj të talentuar, një prej të cilëve është dhe Ymer Bala”.
– Rikard Ljarja, aktor: “Ymerin e kam njohur që herët. Në Institut binte në sy serioziteti me të cilin studionte e punonte. Rolin e koncepton si një të tërë dhe lot me vërtetësi në figurat që i besohen, pa dalë jashtë ansamblit. Kjo duket edhe në detajet e studiuara, me të cilat hyn në skenë”.
– Josif Papagjoni, studiues dhe kritik: “Ymer Bala ka qenë ndër aktorët e parapëlqyer në këtë teatër (të Shkodrës), me role kryesisht të kahut dramatic, role heronjsh, role dashnorësh e të rinjsh me vlera morale, që ndihmojnë në katarsën shpirtërore të të tjerëve. Në këto hulli ka njëmendësuar me sens realist dhe hijeshi skenike disa syresh, si ato te Djem të mbarë, 1976, Çështja e Blertës, 1984; ose Shpendi te Shpartallimi, Ujkani te Gjaku i arbërit, 1981 – drama të Fadil Krajës; djali i Trimit te drama Çmurosja e Serafin Fankos, 1994; intelektuali te drama Ftesë nga larg e Stefan Çapalikut, 1996. Aktrimi i Ymer Balës është karakterizuar nga tonet e epërme emocionale, shpesh me theksa të fortë. Ai ka një deklamim të ëndshëm të fjalës, me një zë të ngrohtë e melodioz, ku spikamat poetike dhe kadencat fitojnë vlerë e tingëllimë, të soqëruara natyrshëm nga pasioni dhe hijeshia skenike. Ka mëtuar të bëjë të dukshme anët që shprehin qëndrimet burrërore e stoike të personazheve, po ashtu çastet liriko-poetike të tyre.”
m