Një ndër familjet më të rëndësishme të pashallarëve në Shqipërri ishte ajo e Bushatlinjve të Shkodrës. I pari ndër to ishte Mehmet Pashë Bushati e pas tij, djemtë ndër të cilët dallohet Mahmuti i cili mori edhe titullin Kara. Sipas historisë, ai zgjeroi zotërimet e tij në territore shumë të gjera.
Historinë e kësaj familjeje e sjell Atë Zef Pllumi në librin “Frati i Pashallarëve”, ribotuar së fundmi para pak kohësh me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së tij. Ai bazohet në një ndër dosjet arkivore që kishte lexuar kur kishte punuar në arkivin françeskan, para se komunizmi ta dëbonte e burgoste për më tepër se 25 vite.
Më poshtë po sjellin vetëm historinë e Kara Mahmud Pashës, jeta e të cilit lidhet drejtpërdrejt me Fratin Atë Erasmo Balneo.
Mahmudi mendohet të ketë lindur në vitin 1750 të erës romane. Ishte shëndetlig në vogëli kur ishte 2-3 vjeç, në atë kohë kur dhe Frati i Hotit, Erasmo Balneo ulej në Shkodër me Vukë Frangun, vojvodë i Hotit e mbante mesha të fshehta ndër familjet e krishtera si ajo Sumaj, Kamsi apo Dodmasej. Një ditë, nga një mik i tij, i bie në vesh Mehmet Begut se ishte mjek me shkollë. Ai e thërret atë. Kur sheh se ky ishte prift, nuk shqetësohet. Përkundrazi, i rri pranë dhe e respekton si mikun e tij më të mirë.
Kështu, frati dhe mjeku përkujdeset për të birin e brishtë, duke e trajtuar me lëng elbi, sepse kishte kockat dhe shtyllën kurrizore të brishtë. Ilaçet e tjera për të i merr në farmacinë më të vjetër të Evropës, atë që fretërit françeskanë kishin në Raguzë brenda kuvendit të tyre. Frati françeskan u vendos në lagjen Kishna, përtej Bunës, ku dhe jetonin katolikët në atë kohë.
Ky trajtim me lëng elbi zgjati deri kur djaloshi mbushi 12 vjeç dhe dobësia e kockave të tij u shërua krejtësisht. Mehmet Begu, ndërkohë, konsolidoi pozitat e tij me anë të marrëveshjeve me krerët e Malësisë, Dukagjinit e Mirditës, të arritura falë këshillave të fratit. Duke ndjekur sërish këshillat e fratit, ai ia doli të pastronte bregdetin e Adriatikut nga pirateria e ulqinakëve dhe, po nëpërmjet fratit, vendosi marrëdhënie tregtare me Venedikun.
Gjithashtu, ai i kërkoi fratit që të kujdesej në mënyrë të veçantë në edukimin e Mahmudit, të cilin, frati françeskan e mësonte sikur të ishte nga ndonjë derë mbretërore evropiane. I mësonte italisht, latinisht e pak greqisht, histori e letërsi.
Ndër personazhet që kishte më dobësi Mahmudi, ishin Rolandi e Skënderbeu; ndërkohë që djali shkollohej gjithashtu në turqisht e arabisht nga mësuesit e tjerë të caktuar nga i ati, Molla Hysen e Molla Salihi. Kara Mahmud Bushati, ishte një djalë me temperament të egër dhe rebel.
Kur ishte rreth 14 vjeç vrau çirakun e qehanë e të atit. Ky veprim e çoi në largim nga qyteti nga hidhërimi i të atit, e se i mori nderin oxhakut.
Kështu, me një hotjan e një mirditor, besnikë të tij shkoi në Kavajë, te nji motër e martuar, kunati e këshilloi të shkonte në Filipopuli sepse në Stamboll i ati kishte shumë besnikë, por edhe armiq. Në Filipopuli, i veshur me petka shqiptare, komplet të huaja, i ra në sy pashait të vendit që e thirri për ta pyetur se kush ishte. I riu iu përgjigj po në turqisht se ishte i biri i Vezirit të Shkodrës.
Pashai, i mahnitur nga turqishtja e tij dhe pasi mori vesh se dinte edhe arabisht, italisht e latinisht e afroi dhe i premtoi ta çonte në Stamboll të shkollohej në Shkollën Perandorake me shpenzimet që do t’i mbulonte ai. Ky mik, Kapedan Pashë Algjeriani do të ishte mjaft ndihmë, ndërkohë që Mahmudi i Ri do të qëndronte larg shtëpisë.
Veprimin e vrasjes së çirakut, ai e argumentonte shpesh me faktin se kishte bërë nji veprim që nderi e përligjte, sepse, siç edhe ia shpjegonte në letërkëmbimet me Fratin Erasmo në italisht, ai e bëri për të ruajtur nderin e oxhakut, sepse çiraku vidhte dhe përfitonte nga posti afër Mehmet Pashës.
Mbasi u kthye, i falur nga i ati, i vëllai mori fermanin me u bë Pashë nga Sulltani e u thoshte në kohë se Mahmudi i kishte të gjitha mundësitë për t’u bërë Pashë. gjithashtu. Ai nisi të dilte për gjueti pak para se të mbushte 18 vjeç, me malësorët e besuar që rrinin në sarajet e Bushatllijve në lagjen Tabakë.
Nuk vonoi shumë, e i ati, që shpesh i jepte punë administrative e tregtie, i kërkoi Portës së Lartë që i biri të emërohej Pashë, ndihmës i tij, pasi ai vetë (Mehmet Pasha) kishte fillar të ndjente pleqërinë. Kur mbushi 18 vjeç, Frati Erasmo mendoi ta çonte në Raguzë që ta vizitonin personalisht mjekët e atjeshëm.
Dyshimin se sëmundja e tij mund t’i rrinte e fshehur e diskutoi me Vezirin, i cili i tha të shkonte, meqë ishte për të birin, që edhe pse nuk e ndante nga djemtë tjerë, e kishte pikë të dobët. I tha të merrte me vehte Hajdar Agën, mikun që e prezantoi atë me fratin, e të merrnin 4 anije lufte në Ulqin që të bëhej një paraqitje dinjitoze.
Frati Balneo shkoi njëherë në Raguzë, u takua me Superiorin e fretërve e shkuan në Komunë ku takuan Dukën apo Presidentin e Republikës. Ai e priti me gëzim të madh ardhjen e “trashigimtarit të Princit të Shqipërisë” për një vizitë mjeksore.
Të nesërmen u caktua dita, ora dhe shoqërimi i 4 anijeve luftarake. Në diten e caktuar, Frati Erasmo Balneo, Mahmud Bushati, me Jak Sumen dhe Hajdar Agë Rusin, 20 roje malësorë personale të Mahmudit, të kryesuar nga djali i bajraktarit të Hotit, iu drejtuan Ulqinit me 4 varka të vogla e të shpejta që rrëshqisnin mbi Bunë.
Kur mbërritën në Ulqin, Hajdar Aga u mor vesh me agallarët e Ulqinit për flotën që u kishte caktuar Veziri e shkoi në Valdanuz ta shihte. U nisën po atë mbrëmje, nata ishte e qetë dhe thuhet se fjetën gjithë naten.
Të nesërmen u gjendën pranë Raguzës. U pritën me nderime mbretërore, dhe, edhe pse i shoqëroheshin nga përkthyesa për gjuhët sllave të caktuara nga Veziri, Mahmudi parapëlqeu të fliste në italisht. Plot me dhurata për nderimin e raguzanëve, duke nisur me 1 mijë dukate ari për Parinë e Qytetit, materiale të shtrenjta e me vlerë për vogjëlinë e të varfrit, 100 franga ari për Kishën e Shën Vlashit e 200 për farmacinë e françeskanëve nga të cilët ishte edhe mjekuar që në fëmijëri.
Duke qenë luftëtar i zoti, ai u shpërblye me titullin Pasha nga sulltan Mustafa III kur ishte vetëm 18 vjeç. Këtë shpërblim, sulltani ia dha Kara Mahmudit si shpërblim të trimërisë që ai tregoi në Greqi sëbashku me vëllezërit dhe të atin, duke shtypur rebelimin grek të luftës ruso–turke të 1768–1774.
Kur u bë sundues i Shkodrës, ai ishte vetëm 20 vjeç. Ai besohet të jetë martuar pesë herë, por pa mundur të lërë trashëgimtarë. Kara Mahmud Bushati erdhi në pushtet në pashallëkun e Shkodrës në vitin 1775, kurse, sipas të dhënave të A. Xhevdet, ai u njoh zyrtarisht si sundimtar i Shkodrës në vitet 1779-80 (1193 sipas kalendarit islamik) me gradën mirimiranë. Përpara tij, Shkodra ishte qeverisur nga i vëllai i tij Mustafa Bushati, sundimi i të cilit rezultoi i pasuksesshëm.
Sipas Atë Zef Pllumit, familja e Bushatllinjve ishte familja më e rëndësishme e pashallarëve shqiptarë, ndërsa vetë Kara Mahmud Pashë Bushatliun, Pashai më i rëndësishëm i Shqipërisë Osmane.