Pas temperaturave përvëluese, vendi ynë është përfshirë nga stuhi breshëri. Tirana, Elbasani, Durrësi, Korça, Fieri e qytete të tjera janë ‘pushtuar’ nga reshje masive breshëri. Policia i bëri apel drejtuesve të mjetit që të bëjnë kujdes me shpejtësinë, ndërsa për shkak të erës së fortë u rrëzuan disa pemë në disa qytete.
Stuhia e cila vjen pas një kohe të gjatë thatësire dhe temperaturave të larta mbi 40 gradë celsius, zgjati për disa minuta. Nga pamjet, duket që breshëri ka qenë me përmasa të mëdha, ndërsa menjëherë pas ndryshimit të motit temperaturat pësuan një rënie.
Duket se i nxehti po i lë vendin reshjeve të shiut, pasi deri ditën e mërkurë, në mesditë dhe pasdite, priten reshje shiu me intensitet të ulët, lokalisht shtrëngata afatshkurta. Ditën e enjte dhe të premte reshjet e shiut do të bëhen prezente në orët e mesditës kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave malore.
Në lindje dhe juglindje lokalisht reshjet e shiut fitojnë intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.