Lindi në Korçë më 25 tetor 1936. Që në moshë fare të re u aktivizua me trupën amatore të Teatrit të Korçës si aktore dramatike e komike, si këngëtare dhe si valltare.
Bashkëshortja e regjisorit dhe aktorit Dhimitër Orgocka, i përket brezit themeltar të Teatrit të Korçës që më 1951, duke qenë njëra nga aktoret e para femra të teatrit profesionist shqiptar.
Një aktore shumëplaneshe, dramatike, komike, e estradës dhe filmit. Një nga cilësitë e saja ishte fuqia transformuese dhe përshtatja në gjedhë të ndryshme të teatrit, në plane të ndryshme interpretative.
Ndonëse nuk kishte mbaruar ndonjë shkollë dramatike, interpretimi i saj ishte cilësor. Ishte dinamike në skenë, dallohej për natyrshmerinë, e gjallë, plot energji, me një fjalë të ngrohtë dhe të interpretuar me temperament.
Ndërsa në rolet e kahut komik karakterizohej nga një ritëm i lartë i gërshetuar me një gazmend të brendshëm, çfarë e bënte për vete spektatorin, sikundr ishte nga ana tjer dramatike, epike dhe emocionale, në rolet e kahut tragjik.
Ajo ka realizuar në mbi 60 role në teatër. Spikati në rolin e Violës në komedinë “Nata e dymbëdhjetë“ të Shekspirit, në v. 1965, duke shpërfaqur një natyrë liriko-poetike, duke luajtuar me dyzimin e saj gjinor nëpërmjet kalimeve të befta, nga një gjendje (djalin) tek tjetra (vajzën).
Në dramën e N. Ostrovskit, “Vajza pa prike” (1966) interpretoi me lirizëm e ngrohtësi, rolin e Larisës. Në vitin 1961 dha me dramacitet rolin e Katrinës në “Pamje nga ura” të Miler. Në vitin 1979 luan me gjallëri dhe humor Frosinën në komedinë e Molierit “Kopraci” , duke jetësuar tipin e një personazhi shërbëtoreje klasike moleriane. Ritmi i lartë, plastika e zhdërvjellët, loja me dykahësitë, befasimet e këndshme e bëjnë këtë rol nga më të pëlqyerit në karrierën e saj. Në vitin 1974, ne komedinë e R. Pulahës “Zonja nga qyteti” realizoi përputhur një formati e frymë popullore, rolin e Ollgës, duke paraqitur një grua qytetare me ngjyrimet e rrethit të Korçës kinse e “civilizuar”, por tejet e ngarkuar me paragjykime për mënyrën e jetesës në fshat, rol të cilin e interpretoi për së dyti edhe në komedinë në vazhdim “Një shoqe nga fshati”.
Në vitin 1978 me interpretimin e figurës së Maros në dramën e R. Pulahës “Maro Mokra” arrin një nga nivelet më të larta të saja në interpretim. Ajo solli në skenë një figurë epiko-heroike e pasur me thekse kombëtare.
Role të tjera në teatër mund të përmendim Lenën në dramën “Doktor Aleksi” I. Urucit. Tushja në “Hijet e natës” së V. Kokonës; Mësuesja dramatizim i romanit “Qyteti i fundit” të P. Markos; Zonjën Bice në dramën “Opera për tre grosh” te B. Brehtit; Drita në dramën “Flakë në shtëpi” të Z. Cikulit”; Emilia në tragjedinë “Otello’ të Shekspirit; Olimbia në komedinë “Karnavalet e Korçës të S. Comores; Nëna në dramën “Zeka Shkoza” të S. Pitarkës; Dorina në komedinë “Tartufi” të Molierit; “Stuhi në prill” të Skënder Luarasit etj.
Në ekranin e filmit ka interpretuar në disa prej tyre si: “Horizonte të hapura” – bashkëshortja e Uranit; Përballimi (1976) – shërbyesja e zyrës; Beni ecën vetë (1975) – Teto Ollga; Flamur në dallgë (1977 Film TV) – Mjekja; Pas gjurmëve (1978) – Drita; Asgjë nuk harrohet (1985) – Nene Xhikua; Dasem e cuditeshme (1986) – Nëna e Sherkës; Përsëri pranverë (1987) – Bashkëshortja e kryetarit; Një vit i gjatë (1987) – Nëna e Likurgut.
Dhorka ndërroi jetë më 31 gusht të vitit 2002, dhe mban titullin “Artiste e Merituar”.