Kryeministri i vendit Edi Rama, shoqëruar nga Ministri i Financave dhe i Ekonomisë Arben Ahmetaj kanë vizituar sot ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Më herët Ministria e Financave dhe Ekonomisë bëri të ditur lajmin se pas 27 vitesh, procedura e vlerësimit në Doganë do të jetë tërësisht online.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve, Kreu i Qeverisë është shprehur entuziast duke theksuar në fjalën e tij se revolucioni digjital e bën sipërmarrësin zot të aktivitetit të tij, ul kohën, por më e rëndësishmja shfaros korrupsionin e administratës doganare, pasi përmes procedurave online shmanget kontakti fizik mes biznesmenëve dhe doganierëve.
Statusi i Kryeministrit:
“Një moment historik transformimi, nga dogana e vjetër e mundimeve shumëvjeçare të importuesve dhe eksportuesve, në doganën moderne pa kontakt fizik mes sipërmarrësve e doganierëve, falë revolucionit digjital që e bën sipërmarrësin zot të aktivitetit të tij dhe shfaros korrupsionin e ul drastikisht kohën e kalimit në doganë #ShqipëriaqëDuam”