Petrit Ame ka qenë një nga emrat më të njohur të botës së nëndheshme të trafikut dhe krimit të organizuar me lidhje në Maqedoni, Shqipëri, Serbi e Mal të Zi.
I zhdukur që prej viti 1999, emri i tij përmendet për lidhje të shumëfishta jo vetëm me botën e trafikut dhe krimit të organizuar, po edhe me lidhje politike në disa vende ballkanike mes të cilëve Arkani në Serbi, ish-shefi i SHIK-ut në Shqipëri Bashkim Gazidede, ish-kryeministri maqedonas Branko Cervenkovski e vëllai i ish-presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanoviç.
Ame ka pasur lidhje familjare me ish-kreun e SHIK-ut në Shqipëri Bashkim Gazidede, të cilin e ka djalë tezeje. Gazidede ka drejtuar SHIK-un në vitet 1992-1997, në kohën e qeverisë Berisha dhe trazirat e vitit 1997.
Ai është përfolur si ndërmjetësi i një takimi mes Gazidedes dhe Arkanit në vitin 1995 në Shqipëri, gjë që nuk është përgënjeshtruar zyrtarisht, ndërsa për këtë gjë është akuzuar publikisht nga ish-ministri i Brendshëm i qeverisë Nano, Luan Rama më 18 tetor 2002.
Emri i Ames shfaqet edhe në zhdukjen e Remzi Hoxhës më 21 tetor 1995, për të cilën është akuzuar kreu i SHIK-ut Bashkim Gazidede dhe ish-kryeministri Berisha.
Petrit Ame rrëfen gjatë intervistës së mëposhtme se ka qenë pjesë e Legjionit të Huaj në Francë prej nga është arratisur, ndërsa pohon se është marrë me veprimtari kriminale dhe trafik cigaresh e kontrabandë nafte.
Ai njohet si një nga miqtë e afërt të Zeljko Raznatoviçit, i njohur me nofkën Arkan, kreu i njësisë paramilitare “Tigrat e Arkanit” gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Miqësia mes të dyve është pohuar nga e veja e Arkanit, i cili u vra në një atentat më 15 janar 2000 në Beograd, këngëtarja e njohur serbe Ceca.
Ame ka marrë pjesë në festat familjare të organizuara nga Ceca, ndërsa besohet se ka bashkëpunuar me Arkanin për të bërë kontrabandë nafte në Serbi gjatë kohës së embargos, gjë për të cilën është akuzuar nga socialistët edhe ish-kryeministri Berisha.
Në Maqedoni emri i Petrit Ames lidhet me atentatin ndaj ish-presidentit Kiro Gligorov kur një makinë bombë shpërtheu ndërsa Gligorov po shkontë në zyrën e tij. Asokohe ai u arrestua bashkë me Arslan Nushin dhe Naim Leskovicën, por u lirua për mungesë provash.
Ish-kryeministri maqedonas Branko Cervenkovski është akuzuar nga kundërshtarët e tij për lidhje me Petrit Amen dhe se e ka ndihmuar atë të arratisej nga burgu. Asokohe Ame kishte deklaruar se miqtë e tij, mes të cilëve edhe politikanë të lartë në Maqedoni e kishin ndihmuar të arratisej.
Media maqedonase “RTV 21” ka pohuar asokohe se Petrit Ame në dëshmitë e dhëna gjatë burgut ka pranuar se ka bashkëpunuar me vëllain e ish-kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç për të bërë kontrabandë armësh dhe nafte.
Në vitin 2003, qeveria e Maqedonisë njoftoi se po formonte një komision për shkak të ankesës së opozitës VMRO-DPNE, e cila publikoi një video të fshehur të Petrit Ames me një hetues policie, kur Am pohon se kryeministri e liroi nga paraburgimi në dy raste.
Ame është parë për herë të fundit në vitin 1999 kohë kur bleu në Kosovë “Hotel Prishtinën”. Atë vit mediat raportuan se Ame ishte vrarë gjatë një përlasjeje me armë në Prishtinë, por zyrtarisht fati i tij nuk dihet dhe që prej asaj kohe ai rezulton i zhdukur.
Na tregoni pak për veten
Kam lindur në vitin 1959 në Dibër, jemi dy motra e dy vëllezër po prej moshës 14-vjeçare kam jetuar jashtë. Vij nga një familje e varfër dhe mora rrugën e kurbetit me dalë në dritë, si i thonë. Fillimisht kam shku në Itali, kam ndejt te vëllai disa vjet. Pas 4-5 viteve qëndim në Itali kam shku në Francë.Kam qenë pak si djalë negativ, se nuk kam kry fakultet, as magister.
Ju keni pasur disa probelme në Francë dhe më pas keni qenë në Legjionin e Huaj
Kam pas disa probleme me ligjin francez, kam qenë i dënu disa vjet. Dhe në Francë ka qenë propozimi i Legjionit të Huaj. Nëse nuk do të vuash dënimin, do nënshkruash një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes për me shku te Legjioni i Huaj. Arrestimi im ka qenë disi politik. Fillimisht kam qenë gjashtë muaj në kurs, pastaj bën një provë dhe pastaj duhet me u angazhu te obligimi ushtarak.
Për çfarë formacioni ushtarak bëhet fjalë
Legjionin ushtarak e ka themelu Napolon Bonaparti dhe ku ka luftëra ai është si një ushtar privat, paguhesh me vra në vijën e parë të luftës.
Ato janë detyra speciale
Janë detyra speciale, po të tregoj një rast. Në Liban kur nisi lufta,ne mbronim diplomatët francezë dhe popullsinë franceze që jeton atje. Pastaj kemi qenë edhe në Afrikë, ku lyp nevoja.
Politikën e kujt e realizon Legjoni i Huaj i Francës?
Ata mbrojnë interesat e Francës. Shkelin kudo ku ka luftë, por mbrojnë interesat e Francës. Ka edhe vullnetarë që shkojnë në legjion, përveç personave të dënuar. Atje kanë shku shumë shqiptarë nga Jugosllavia se merrnin rrogë të mirë. Kemi pas përgatitje të mirë fizike dhe stërvitje shumë të fortë. Unë kam qenë parashutist.
Mund të na tregoni ndonjë ngjarje me interesante, më të rrezikshkme që kujtoni
Ngjarja më e rrezikshme është se kam ik që atje, se kam nëshkruar për pesë vjet. Kam ndejt vetëm 18 muaj. Kur nuk e di çfarë është nuk e vlerëson si duhet. Ama kur e sheh me sy, shokët të vriten atje, ti je njeri i shitur. Kur e pashë që nuk ishte ajo që kisha mendu, ika.
A ka ndonjë që mbaron këtë periudhën 5 vjeçare dhe ngelet gjallë?
Ka pak, shumë pak. Në Legjionin e Huaj ka francezë dhe më pas të huaj, po ata i zgjedhin më të mirët.
A kishte shqiptarë të tjerë atje?
Ka qenë një shqiptar i Pejës, që ka qenë oficer këtu në kohën e Jugosllavisë dhe tre nga Shqipëria, që kanë shku jashtë si emigrantë.
Si ikët prej Legjionit të Huaj?
Morëm helikopterin tonë deri në Tunizi, pastaj atje me dokumente të tjera. Po të na kishin kap do bënim burg ushtarak 3-5 muaj, pastaj duhet të vuaja dënimin e parë dhe s’ke më të drejtë të jesh pjesë e Legjionit të Huaj.
Këtu me çfarë merreni?
Këtu kam ardh ka 3-4 vjet. Në ish-Jugosllavi kam jetu 18-20 vjet. Erdha në Dibër, u stabilizova nja gjashtë muaj. Dibra është e bukur po e vogël, nuk janë kushtet për biznes në Dibër. Kam nënën në Dibër, e vizitoj shpesh. Kam nis biznes pak si ilegal, me naftë, cigare, se krejt ashtu punojnë, koha ishte e tillë me embargon. Falenderoj një shokun tim Velibor Zharvskit, me atë kemi së bashku një kazino. Kam dy firma të miat.
Shume ju shohin si njeri kontravers, se jeni mbi ligjin.
Jo, s’është vërtetë, ne jemi krejt një popull, njësoj jemi si nga Shkupi, si nga Haraçina. Nëse njeriu nuk e ka bishtin, ia vejmë një bisht. Nëse e ka, ia zmadhojmë. Fatkeqësia jonë është kjo.
Përkatësia juaj politike?
S’më intereson politike e nuk dua të përzihem me të. Edhe vetë politikanët në Maqedoni nuk e dinë se ku janë, kur formohet një shtet i ri duhet të paktën 20 vjet të stabilizohet. Kemi qenë vend komunist, na kanë mbet mbeturinat e asaj kohe. (Hashtag.al)