Ankesat e një të dënuari shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar se burgjeve britanike u mungojnë prostitutat, kanë shkaktuar zemërim te vendasit dhe autoritetet për kriminalitetin e ardhur nga emigrantët e Ballkanit.
Një gangster shqiptar i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar me 25 vjet burg në vitin 2016, ka zemëruar shërbimin britanik të burgjeve – dhe rrezikon t’i shtohet dënimi – duke postuar në mënyrë ilegale mesazhe në rrjetet sociale ku ankohej për mungesën e prostitutave në burgjet britanike.
Tristen Asllani doli në median e vendit të martën pasi publikoi foto dhe mesazhe në një sajt Instagrami të quajtur Shqiptari im në Burg (My Albanian in Jail), pa bluzë, duke qeshte dhe shkruante: “E vetmja gjë që mungon janë kurvat”.
Shqiptarët e burgosur në Mbretërinë e Bashkuar kanë shkaktuar shpesh pakënaqësi pasi postojnë ilegalisht foto të vetes gjysmë të zhveshur, duke treguar muskujt, duke kërcyer, ngrënë të uritur vaktet dhe duke u mburrur se po kalojnë mirë.
Iphonët janë të ndaluar në burgjet britanike dhe të burgosurit nuk lejohen të postojnë në rrejetet sociale pa leje specifike.
Mes zhurmës mediatike, Shërbimi Britanik i Burgjeve paralajmëroi se Asllani do të përballej me masa disiplinuese, përfshirë zgjatje të dënimit.
“Ata që shkelin rregullat e burgut do të përballen me ndëshkime të rënda, përfshirë kohë më të gjatë pas hekurave,” tha shërbimi.
Asllani u dënua me 25 vjet burg në vitin 2016 pasi policia në Londër e kapi me kokainë me vlerë miliona paund dhe me një armë automatike.
Ai dyshohet se ishte një anëtar i lartë i organizatës kriminale “Hellbanianz”. Dy bashkëpunëtorët e tij, shqiptarë po ashtu, u dënuan me tetë dhe nëntë vite secili.
Dy vite më parë, kriminelë shqiptarë që kryenin dënimin në Dorset, në Anglinë perëndimore, shkaktuan telashe duke postuar foto të tyre ndërsa festonin në burg me përshkrimin “Përshëndetje, Jeta është Qejf”.
Rreth 716 të burgosur nga një popullatë totale e 85.000 të burgosurve në Britani janë shqiptarë etnikë.
Së bashku, në Britani janë 11.000 të burgosur, shtetas të huaj – një numër shumë i lartë sipas zyrtarëve, duke marrë parasysh kostot e mbajtjes së të burgosurve.
Polakët dhe irlandezët janë në krye të burgosurve të huaj, pasuar nga xhamajkianët, somalezët dhe rumunët.
Megjithatë, numri relativisht i lartë i shqiptarëve të burgosur, duke marrë parasysh masën e vogël të komunitetit, po shkakton shqetësim.
Rreth 1,000 të burgosurit polakë dalin nga një komunitet prej rreth një milionë.
716 shqiptarët janë porcioni i një komuniteti që besohet të jetë pak më shumë se 100.000.
Agjencia britanike e krimit, NCA, vitin e kaluar shprehu shqetësime rreth “profilit të lartë” të gangsterëve shqiptarë të përfshirë në trafikimin e drogës.
Agjencia tha se ata kishin “kontroll të konsiderueshëm mbi tregun e trafikimit të drogës në Britani” dhe shtoi: “Kërcënimi i përballur nga grupet kriminale shqiptare është i madh”.
Në vitin 2012, Mbretëria e Bashkuar nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për të krijuar shërbime të riatdhesimit të shqiptarëve të dënuar me më shumë se katër vite burg.
Megjithatë, progresi ka qenë minimal, prej shqetësimeve të Mbretërisë së Bashkuar se të burgosurit do t’ia mbathnin ose do të liroheshin pas kthimit në atdhe.(BIRN)