Prej disa vitesh, që nga koha kur shpërtheu tek Empoli, emri i Kristjan Asllanit ka qenë fiks në tregun e transferimeve. As kalimi i tij tek Inter nuk i largoi këto zëra, përkundrazi, i shtoi edhe më shumë, por lidhja e Asllanit me klubit zikaltër është shumë e fortë.
Pavarësisht se statusi i tij nuk ka ndryshuar te zikaltërit, duke qenë thjesht një zëvendësues i Calhanoglu, Asllani as që ka ndërmend të largohet nga “San Siro”, këtë e vërtetoi sërish duke rinovuar kontratën e tij me klubin e zemrës. Pikërisht në momentin kur për të interesimi sa vinte e shtohej, Inter me anë të një deklarata zyrtare njoftoi rinovimin me mesfushorin kuqezi deri në 2028.
I lumtur për këtë akord të ri u shfaq edhe Asllani: “Për mua ka qenë gjithnjë një ëndërr të luaj për këtë ekip, është një nder që luaj për këtë fanellë. Kjo kontratë e re është një krenari për mua, por e marr si një pikë nisje. Siç e kam thënë shpesh, stërvitem krah lojtarëve kampionë, jam i sigurt që ky rinovim është edhe falë ndihmës së tyre”, u shpreh Asllani për faqen zyrtare të klubit duke u ndalur më pas tek objektivat këtë sezon:
“Në nivel personal dua të rritem, të përmirësohem çdo ditë, jam ende 22 vjeç, më duhet të përmirësojë shumë gjëra. Në nivel ekipor, kur je pjesë e Inter duhet të fitosh sa më shumë të jetë e mundur, ta fitosh atë trofe. Ne e dimë që nuk do të jetë e lehtë, është shumë e vështirë të rikonfrimohesh, por ne do të japim maksimumin”, u shpreh Asllani.