Gazetari Mentor Kikia ka ngritur një pyetje kundrejt Argita Malltezit sa i takon menaxhimit të donacioneve që ajo jepte në fondacionin e së ëmës, Liri Berishës.
Në logjikën e Kikias, nëse SPAK do të ishte aq dashakeqës sa Malltezi e cilëson, atëherë në dosjen hetimore do të përfshiheshin edhe hulumtime drejt origjinës së atyre parave që përfitoheshin në kuadër të organizimit të ankandeve dhe shitjes së pikturave, e mënyrës se si më pas ato menaxhoheshin.
Mentor Kikia: SPAK duhet që në final të shkojë vetëm me prova. Ju e akuzoni SPAK-un se ka deformuar dëshmi, megjithatë hetimi mbetet brenda kuadrit të familjes, prona, transaksione.
Nëse do kishte dashakeqësi, unë mund t’i sugjeroja SPAK-ut dashakeqës që të përfshinte në kuadër të sponsorizimeve të fondacionit të zonjës Liri Berisha, edhe ankandet dhuruese për blerjen ose shitjen e pikturave, paratë e të cilave shkonin për llogari të fondacionit.
Këto bleheshin gjithmonë nga biznesmenë të afërt me qeverinë dhe ishin përfitues kontratash pasi merrnin pjesë në këto ankande. Kjo gjë nuk ekziston në dosje, nëse do ishte dosje dashakeqëse.
Argita Malltezi: E para, bie dakord që në aspektin ligjor kjo nuk qëndron, por këtu jemi dhe në rrafshin mediatik dhe në këtë rrafsh njerëzit kupptojnë që çfarë repart ushtarak në shërbim të politikës është bërë SPAK-u.
Kjo është një dosje pa asnjë provë, ndërkohë që privatizimi është bërë në kohën e Fatos Nanos dhe këta kanë prodhur vetëm fjali, jo prova, që duan të fajësojnë Sali Berishën.
Po ju jap 2 shembuj, nëse është shitur diçka kanë shkuar deri tek shitësi i katërt, kanë shkuar tek njerëzit që t’ju shkatërrojnë biznesin vetëm se ofronin shërbime në treg kundrejt parave për ne…
Ndërsa për punën e ankandeve është praktikë e nisur nga persona para nesh dhe asnjë gjë nuk shkon për Liri Berishën, shkon për trajtimin e fëmijëve.
Argita Malltezi, tha se të gjitha paratë e saj i ka të deklaruara rregullisht në ILDKP.
Ajo tregoi se paratë më të cilat ka blerë disa apartamente që përmenden edhe në dosjen e SPAK janë nga të ardhurat e saj dhe të bashkëshorti gjatë periudhës kur punonte për UNMIK në Kosovë.
Malltezi tregoi se ka punuar për 6 vjet pranë UMNIK bashkë me të shoqin dhe paga e saj ishte 91 mijë dollarë vetëm vitin e parë.
“Kam mandatpagesa, të ardhurat kanë qenë nga rroga jonë në UNMIK dhe këto mandat pagesa janë të gjitha në dosjen e SPAK. Kam punuar 6 vjet në UNMIK, në vitin e parë të ardhurat e mia kanë qenë 91 mijë dollarë, neto.
E kam sot e kësaj dite çdo kontratë dhe vërtetim page, Abi pak më të ulët, por në këto marzhe. Të gjitha këto mandatpagesa i kam në ILDKP ndaj edhe i ka SPAK”, tha Malltezi.