Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për median italiane “La7”, ku është shprehur i bindur se Shqipëria e së ardhmes do të jetë si Italia!
“Kur më pyesin si do të jetë Shqipëria e së ardhmes, u them të shikojnë Italinë. Kjo është Shqipëria e së ardhmes”, është shprehur Rama në intervistën e tij për gazetarin Federico Marconi.
I pyetur lidhur me raportin e tij me kryeministren Giorgia Meloni, Rama u shpreh se kushdo që e njeh atë nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të, ajo është një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë.
“Kushdo që e njeh Giorgia Melonin nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të, ajo është një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë. Nuk ka rëndësi se kryeministri është i djathtë, i majtë apo demokristian. Është vendi më afër nesh. Për mua ideologjitë kanë vdekur kur ka rënë muri i Berlinit.” –tha Rama.
Po ashtu, Rama ka sqaruar se Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për kampin e refugjatëve që do të ngrihet në Gjadër të Lezhës, duke theksuar se e gjithë kostoja e projektit është e Qeverisë së Italisë.
“Shqipëria nuk ka asnjë kosto mbi operacionin që do Italia do të zhvillojë në Shqipëri për emigrantët. Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore. Shqipëria i ka dhënë përgjegjësinë të shërbejë në një territor që do të menaxhohet tërësisht nga Italia”,-përfundoi Rama.