Sanije Ameti, një politikane e re zvicerane me origjinë nga Bosnja, ka ndezur polemikat në Zvicër.
Kjo, pasi ajo postoi një foto duke gjuajtur me pistoletë ajri një poster të Marisë me Jezusin e vogël.
Pak orë më vonë ajo e ka kuptuar gabimin, e fshin postimin dhe kërkon falje.
Por dëmi ishte bërë tashmë. Brenda pak ditësh, ajo humb vendin e punës dhe karrierën politike.
Ameti humbi vendin e punës në një zyrë të njohur për marrëdhënie publike, dha dorëheqje nga kryesia e partisë GLP për kantonin e Cyrihut, ndërsa kryesia e partisë nisi një procedurë për përjashtimin e saj nga partia.
Organizata rinore e partisë populiste SVP e krahasoi Ametin me terroristët islamikë dhe dorëzoi padi kundër saj.
Organizata e ekstremit të djathtë “Junge Tat” bëri thirrje: “Dëbojeni këtë grua shqiptare”.
Në fushatën kundër Ametit u përfshinë edhe ekstremistë të djathtë nga Gjermania e Austria.
Kanali televiziv propagandistik rus RT e quajti Ametin “anëtare myslimane të liberalëve të gjelbër”.
Në këtë fushatë u përfshinë edhe Manastiri i Deçanit (me një postim në platformën X), mediumet serbe (edhe ato në veri të Kosovës) si dhe një propagandist francez në shërbim të Qeverisë serbe.
Ndonëse Ameti nuk ka origjinë shqiptare, ajo “u bë shqiptare” nga disa manipulatorë serbë dhe zviceranë për t’u urryer edhe më shumë.
Ameti në fakt ka një lidhje me Kosovën: i ati i saj, mysliman sllavishtfolës nga rrethina e Prizrenit, ka jetuar në Bosnjë dhe, me shpërthimin e luftës atje, ka mërguar në Zvicër bashkë me familjen e tij.
Ameti po ashtu është përkrahëse e shtetit të Kosovës, adhuron jetën kulturore në Prishtinë dhe para zgjedhjeve të fundit parlamentare në Zvicër ajo e nisi fushatën elektorale në aeroportin e Prishtinës, gjë që zgjoi vëmendjen e opinionit publik në Zvicër.