Çifti i prokurorëve të pezulluar nga detyra, Rovena Gashi dhe Dritan Gina humbasin një tjetër përballje me kryeprokuroren Arta Marku.
Pas Gjykatës Administrative edhe Gjykata e Apelit ka rrëzuar padinë e Rovena Gashit dhe Dritan Ginës ndaj kryeprokurores së përkohshme. Kryeprokurorja pezulloi Gashin e Ginën pasi po hetohen per deklarim te rrëme pasurie nga prokuroria e Durrësit. Vendimi i Apelit është dhënë sot paradite duke lënë në fuqi vendimin e Arta Markut për pezullim nga detyra.
Rovena Gashi ishte prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë, ndërsa burri i saj Dritan Gina ka qenë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Pak muaj më parë çifti i prokurorëve u përfshi në akuza ndaj Kryeprokurores, pasi Dritan Gina u shkarkua si drejtues i prokurorisë së Elbasanit ku ishte i komanduar duke u rikthyer në Tiranë, ndërsa gruaja e tij, Gashi u shkarkua nga posti i drejtueses së Njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme duke kaluar prokurore e thjeshtë.
Por sot, të dy janë shkarkuar nga detyra, pasi janë marrë të pandehur për mosdeklarim pasurie. Nëse do të shpallen fajtor do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë. Kujtojmë që Gashi është një prej 10 kandidatëve për në Kushtetuese, por edhe pjesëtare e KED. Me pezullimin nuk dihet nëse Gashi e humbet statusin në KED, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi./Shqiptarja.com