Integriteti dhe morali i figurës politike të Erion Veliaj do të tronditej rëndë në fund të vitit 2023, disa muaj pasi ai u zgjodh për të tretën herë radhazi kryetari i Bashkisë Tiranë. Prokuroria e Posaçme, në harkun kohor të disa muajve, arrestoi jo vetëm disa nga drejtorët më të rëndësishëm të bashkisë së kryeqytetit, por ata të cilët fare mirë ishin bashkëpuntorët më të ngushtë të Veliaj.
SPAK do të niste valën e arrestimeve fillimisht me Drejtorin e Punëve Publike Taulant Tusha dhe më pas me ish Drejtorin e Ujësjellës Kanalizime Tiranë Redi Molla dhe Mariglen Qato, Drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit.
Nën optikën e SPAK, që do të rëndoj dhe më tej pozitat e moralit të kryetarit Veliaj në opinionin publik, është një tjetër drejtor i lakuar për korrupsion dhe vendosjen e një pasurie marramendëse për shkak të veprimtarive të paligjshme brenda Bashkisë Tiranë.
Drejtori “duargjatë” quhet Herion Rrapaj, i cili të “pabrekë e zuri dreka e milion e zuri darka”. Rrapaj në postin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit, i cili ka mbajtur më parë postin drejtues të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, është munduar të mbaj një profil të ulët brenda Bashkisë Tiranë, por ndryshe nga profili i tij, portofolin është siguruar ta mbaj sa më të lartë.
Rrapaj është drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së territorit dhe më parë ka mbajtur postin e drejtorit të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Bashkinë Tiranë. Rezulton se drejtori “duargjatë” ka në pronësi një shtëpi private në Korçë me 114 metra katror ndërtim dhe 223 metra truall e blerë në vlerën 70 mijë euro, në 24 shkurt të vitit 2023.
Tre muaj më pas, në maj të vitit 2023, bashkëshortja e Rrapaj ka blerë një apartament në zonën e NSHRAK-ut me sipërfaqe 98 metra katror për vlerën 66 mijë euro pra 674 euro për metër katror dhe dy garazhe me vlerë 10 mijë euro, ku sipas çmimit të referencës, në këtë zonë çmimi për metër katrorë është 2 deri 3 herë më i lartë.
Rrapaj deklaron ullishte në fshatin Priskë e madhe me sipërfaqe 1400 metra katrorë të blerë për 6 mijë euro në vitin 2021 dhe 1 mijë metra arë në Karpen të blerë për 5 mijë euro.
Për të gjithë pronat që përmendëm më sipër, drejtori ka arritur t’i siguroj përmes një shume qesharake prej 157 mijë euro, pak a shumë sa vlera e një apartamenti të pa mobiluar sot në Tiranë.
Ekskluzive.al ka siguruar sipas burimeve konfidenciale se drejtori pelivan i Bashkisë Tiranë, rezulton pronar dhe i një trualli prej 1175 m2 dhe një prej 1000 m2, në zonën e quajtur Rruga e Liqenit, të cilat i fsheh nën emra të tjerë. Këto toka, drejtori “duargjatë”, përmes lidhjeve të tij me pushtetin, do ta kthej tokën nga bujqësore në truall për ndërtim, të cilin do ta realizoj bashkë ish deputetin Tom Doshi.
Rrapaj dhe Doshi janë në biznes bashkë, teksa ky i fundit i ka shkëputur marrëdhëniet përfundimisht me Ramën, pasi së fundmi flitet se ka pasur një incident mes ish deputetit dhe disa personazhe të njohur që kanë lidhje me kryeministrin dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar.
Në investigimet e radhës, Ekskluzive.al do të sjell dokumentat e pronës së padeklaruar të drejtorit Herion Rrapaj, që vlen miliona euro dhe të gjithë pasuritë e tjera të fshehura nën emra të tjerë.
Gjatë këtyre ditëve është larguar nga detyra dhe Erinda Fino, drejtoresha e “Tirana Parking”, e cila më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës së Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.
Drejtoresha e Veliaj vetëm pak ditë më parë ka dorëzuar telefonin e saj në SPAK.
Sipas burimeve të Ekskluzive.al, në tavë për allishverishet në drejtoritë e drejtuar nga Fino është dhe nëndrejtori Redian Çatri, i cili ka një marrëdhënie të ngushtë me drejtoreshën kampione e tenderave me flamur të kuq. Për këtë temë do flasim në një artikull të radhës.
Në vazhdën e denoncimeve, do të publikojmë:
1) Lajmin për një drejtor të bashkisë, i cili së fundmi ka kërkuar statusin e “dëshmitarit të mbrojtur” pranë organeve të drejtësisë.
2) Lidhjet intime të drejtorëve me vartësit e tyre apo nëndrejtorët në APR, Tirana Parking, Drejtorinë e Punëve Publike dhe IMT, etj, të cilat i përdornin për dallavere dhe allezhverishe në institucion.
3) Vilat qindra mijëra euro të fshehura të disa drejtorëve në kompleksin Lura 2, në Gjirin e Lalëzit. Drejtorët ishin siguruar të merrnin vilat pranë njëra tjetrës në kompleksin luksoz, ku zhvillonin dhe festa private me femra dhe kokainë. Vilën e ish nënkryetarit të Bashkisë në Qerret të Kavajës, hotele në bregdet, lokale, apartamente dhe prona të fshehura nën emra të tjerë në Tiranë e më gjerë.
4) Apartamente dhe prona të padeklaruara e të fshehura nën emra të tjerë të nën kryetares aktuale të Bashkisë Tiranë, Frida Pashako dhe sekserit të saj Ilir Pajenka.
5) Kush janë drejtorët përdorues të lëndëve narkotike, shifrat e çmendura të lëna në kazino prej tyre, që kapnin vlerën deri në 50 mijë euro në natë, etj.
6) Kush është Erlad T. nipi miliarder i drejtorit, i cili po pastron paratë e ish zyrtarit të burgosur, miliardat e bëra përmes korrupsionit gjatë kohës kur ai ka qenë në detyrë dhe fusha e veprimtarisë me qëllimin pastrimin e produktit të veprës penale.
Këto e shumë të tjera në investigimin e radhës, Ekskluzive.al është në pritje të korrespondencësme institucionet ligjzbatuese me qëllim transparencën për opinionin publik të pretendimeve tona, se Bashkia Tiranë dhe gjithë kupola e saj ka qenë e korruptuar.