Nga: Raffaella Carrà
“Nuk mund ta programosh ardhjen në jetë të një fëmije, ashtu siç bën me një spektakël televiziv, apo me një koncert. Isha vetëm 30 vjeçe dhe ditët e jetës sime kalonin shpejt përmes intervistave, provave në teatër, programeve televizivë dhe muzikës. Kur vendosa të kisha fëmijë, i shikoja me dashuri dyqanet e dedikuar fëmijëve dhe imagjinoja një dhomë me ngjyra të forta, si dhe me një shtrat të vogël në qendër.
Mirëpo kjo ishte një lumturi e shkurtër. Muajt kalonin dhe fëmija nuk vinte. Shkova tek gjinekologu për një kontroll dhe atje mësova një të vërtetë të hidhur, ishte shumë vonë. Nuk mund të bëja dot më fëmijë, edhe unë doja të dhuroja diçka të bukur, njësoj si gjërat që kisha marrë nga jeta. Kështu që e kalova gjithëdashurinë që kisha përbrenda, tek dy nipërit e mi. Vëllai im, për fat të keq ndërroi jetë i ri, por la pas dy fëmijë për të cilët unë u shndërrova në një baba, më tepër se në një hallë.
Më pas, iu përkushtova edhe birësimit në distancë, mbështes fëmijë të braktisur nëpër botë dhe herë pas here, shkoj edhe t’i takoj. Nuk do ta harroj asnjëherë emocionin që kam përjetuar kur kam shkuar në Guatemala të takoja Luisin, i cili në atë kohë ishte vetëm 8 vjeç. Bashkë me të jetonte e ëma dhe vëllai i tij më i vogël. E ndieja se isha e rrethuar nga dashuria dhe ai boshllëk që ndieja përbrenda, filloi të mbushej.
Spontaniteti dhe pafajësia e këtyre fëmijëve më lejon të plakem në mënyrë të qetë, të qetësoj vrullin e karakterit tim, duke i lënë hapësirë një Raffaelle më të qetë, më racionale dhe më të duruar”.