Janë disa deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të cilët presin largimin e Berishës pas humbjes së mundshme në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025. Ata shpresojnë se rruga e tyre politike do të jetë e hapur.
Por, në të vërtetë Berisha nuk do të largohet as pas kësaj humbjeje. Ai e ka pohuar më shumë se një herë se nuk largohet nga politika deri në fund.
“Unë jam njeri që instinktivisht nuk merrem me histori,” do të shprehej Berisha në seancën e 21 prillit 2008, duke mbrojtur paketën e ndryshimeve në kushtetutë. Në kuvendin e Shqipërisë u paraqit atë ditë për votim, paketa e ndryshimeve kushtetuese, pas një marrëveshje të arritur paraprakisht ndërmjet liderit të mazhorancës së kohës Sali Berisha dhe atij të opozitës Edi Rama. Në thelbin e saj ishin ndryshimet në kodin elektoral.
Paketa kushtetuese u miratua me shumicën e deputetëve të PD-së dhe PS-së por u kundërshtua nga deputetët e partive të vogla.
LSI luftoi fort për ta ndalur miratimin e kësaj pakete kushtetuese, madje pati edhe një grevë urie në ambientet e sallës së Kuvendit të Shqipërisë. Por, rezistenca e LSI-së dhe disa partive të tjera të vogla nuk e ndalën miratimin e marrëveshjes Rama-Berisha për ndryshimin e kushtetutës.
Ky ndryshim i kushtetutës nuk pati impakt aq të madh tek e djathta, ndërsa Berisha nuk ka shprehur asnjëherë pendesë për këtë vendimmarrje.
Ai e mbrojti këtë vendimmarrje me një fjalim në parlament i cili mbyllej me këto fjalë:
“Unë ju falenderoj për të gjitha dhe ju ftoj ta votojmë paketën, se ia kemi lehtësuar rrugën këtij vendi. Mos u merrni nga mëngjesi në darkë me Sali Berishën. Dua t’ju them se nesër i gjithëfuqishmi mund të më thërrasë në banesën e tij dhe unë do ta falënderoj dhe do të shkoj me vrap. Por Zoti mund të më japë edhe tridhjetë vjet të tjera hallvë. Harrojeni se unë dal nga politika pa më nxjerrë votat.”