Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Disa ditë më parë, njëri nga deputetët socialistë të qarkut të Durrësit, Jurgis Çyrbja, la mandatin e tij, pasi, nga SPAK akuzohet për shpërdorim detyre, lidhur me kohën kur ai drejtonte Hipotekën e Durrësit.
Ajo që më tërhoqi vemendjen ishte detyra e tij si drejtues i Hipotekës së një qyteti, dhe kjo pasi jemi mësuar dhe kemi filluar të besojmë vetvetiu se drejtuesi i një institucioni ë tillë, aq më tepër në një qytet bregdetar, domosdo do të jetë i lidhur me korrupsionin, pasurinë, favoret dhe gjëra të tjera që lidhen me detyrën e tij.
Akuza ndaj tij, e bërë nga deputeti Paloka, dhe ky fakt më tërhoqi edhe më tej vemendjen, pasi ai njihet për “ shkrepjet “ e tij, si kjo e fundit me molotovë në kafenetë ku rrinin njerëz që nuk donin të protestonin, kishte të bënte me shpërndarjen e lejeve të legalizimeve për qëllime elektorale.
Mund të jetë kjo, por edhe tjetra, që më befasoi, ishte mbi të gjitha një gabim teknik, se sa një mbivendosje e qëllimshme, për një strukturë thuaj të pavlerë.
Sidoqoftë, kjo është një çështje që i takon tani sistemit të drejtësisë. Ai dha dorëheqjen e menjëhershme sapo mësoi për akuzën ndaj tij dhe nuk kërkoi as mbrojtjen e kolegëve të tij deputetë, as të forcës politike që e kandidoi dhe kjo, në bindjen time, është çështje dinjiteti.
Nënshtrimi ndaj sistemit të drejtësisë është dinjitet; edhe kur ai, për të mos qenë i goditur nga opozita bën lëvizje që nganjëherë ngjajnë si politike apo ballancim krahësh, çka nuk duhet të ndodhë.
Është fakt, që gjithashtu tregon dinjitet, që, në asnjë rast, e majta në pushtet nuk ka reaguar ashpërsisht, e aq më tepër forcërisht, kundër sistemit të drejtësisë. Edhe pse goditjet e këtij sistemi të ri, që e ngritën vetë, kanë rënduar e vazhdojnë të rëndojnë pikërisht mbi të majtën, duke ndjellë mendimin se korrupsioni dhe babëzia kanë ndodhur vetëm në këtë periudhë qeverisje.
Nëse do të kishte qenë i njëjti status për deputetë të opozitës, që në kohën e pushtetit të tyre kanë bërë dhjetëra herë më tepër, gjendja do të kishte qenë më relaksuese, opozita do të ishte mësuar me të vërtetën se, ndërsa gabimet paguhen, fajet ndëshkohen dhe nuk do i dukej e qametshme arrestimi i një deputeti shpifës ordiner.
Fjala është për dinjitetin. Çfarë dinjiteti kanë deputetët tanë, si shkalla më e lartë e përfaqësimit në strukturën ligjbërëse të shtetit, ku mendohet se është ajka e mendimit, e qytetarisë, e intelektualizmit politik dhe shkencor; si është marëdhënie njerëzore mes tyre si politikanë dhe ndërgjegjes si qytetarë?
Megjithëse çështja “Salianji” dalngadalë po harrohet dhe duket sikur një grup i fuqishëm pranë opozitës u gëzuan që ndodhi kështu, sepse u dha një kauzë, rrëmuja që u bë në emërin e tij është përdhosje e dinjitetit politik, dhe, për më tepër, akt anti qytetar. Humbje e besimit te e drejta, dhe mbështetja e mashtrimit si akt politik.
Në mesin e opozitarëve protestues, shumë nga të cilët as nuk e kanë haberin e ndyshimit mes mosbindjes civile dhe protestës, ishin nga ata që dy vite më parë ndodheshin përballë njëri tjetrit: herë me hunj në duar, herë me gaz helmues, me mburoja, me shkallë si të pushtonin kështjellat mesjetare.
Në pak muaj ndarje ata dëshmuan bëma të potershme që kishin bërë ndërsa ishin në pushtet, dëshmuan për vila dhe vjedhje masive, për vrasje të organizuara, qeshën e u tallën me njëri tjetrin, ngritën pusi dhe bënë konferenca shtypi, sa që i gjithë shtypi apo media jo dashamirëse e opozitës nuk i kishte bërë për dhjetë vite. Me dëshirë të madhe dhe pasion të verbër ia nxorrën sytë njëri tjetrit.
Më i potershmi në opozitën kundër Berishës, brenda të njëjtit kamp ishte Bardhi, figurina e përçudshme e politikës, të cilin, bashkëopozitarët e akuzuan për vrasje të qëllimshme në Elbasan, thuaj se katër vite më parë. Në krahun e Bashës, si figurë e dytë e tij, për çka dikur ishte shpërblyer me postin e përkohshëm të ministrit të drejtësisë në qeverinë kalimtare të vitit 2017, ai u bënte gjëmën atyre që vazhdonin të mbesnin besikë dhe loajalë ndaj Berishës.
Në krahun e tij ishin edhe të tjerë, si Salianji, të cilët menduan se shpallja non grata e Berishës dhe vendimi i Bashës për ta larguar nga grupi i tyre parlamentar, ishte një zhvillim i urdhëruar nga Perëndimi dhe se dita e arrestimit të ish liderit të tyre, nuk ishte larg. Prisnin me ankthin e gëzimit theqafjen e Berishës, për të qenë secili nga një berishë i vockël.
I gjithë ky grup , i njohur si pro Bashës, ishte i çartallosur, u nis të bënte gjëmën, por, kur e kuptuan se vala e goditjes nuk kishte qenë e fortë dhe se Berisha po i mbijetonte , e jo vetëm kaq, pas kulisave përgatitej rikthimi i tij në krye të opozitës, vrapuan të hidhen në prehërin e tij. Bardhi u hodh furishëm nga prehëri i Bashës, në prhërin e Berishës. Harruan fyerjet, letrat dhe informacionet që kishin dërguar kundër tij, fjalët që kishin thënë në takime të veçanta, e nganjëherë të pa shpallura, me diplomatë të huaj, dhe u futën nën sqetullën e tij.
Bardhi ishte figura e dytë e Bashës, kaloi në figurën e tretë të Berishës. Edhe nënkryetar, edhe drejtues i grupit parlamentar, i bindur se vendi i shefit i takon vetëm atij. Bardhi është nga ata figura politike të çastit, gojëtar i furishëm, por pa ide që të mbesin në mendje, njeri që beson lehtë dhe hakmarrës, e ka të gëzuar çastin kur mund të tërheqë pas vetes turma për ta çuar drejt së keqes dhe greminës, pasi , për të, dinjiteti njerëzor nuk ka vlerë përballë karierës së tij dhe hakërrimit.
Atë, edhe kur ndodh kjo, si ishte vrasja në Elbasan, nuk e bren ndërgjegjja dhe nuk është i shqetësuar. Edhe kur çirret me zë të lartë dhe flak xhaketën, si të ishte në skenat e mundjes, brenda vetes ai është i qetë, lëvizja e menduar dhe hapat e programuar. Ajo që mungon, dinjiteti, është i pa rëndësishëmëm për të.
Nëse në opozitë do të ketë një njeri që nuk ka ndjerë dhimbje për burgosjen e Salianjit, ai , pa dyshim, është Berisha. Fotot e tij me hunj në duar duke goditur përkrahësit e Berishës nuk është nga ata që harrohen. Por i duhej kauza e të voglit, për të mbrojtur kauzën e madhe, fëmijët dhe familjen e tij.
Nesër, nëse një ditë rihapet çështja e vrasjes në Elbasan, viti 2021, dhe më në fund SPAK merr guximin të hetojë dhe të dënojë ata që e përgatitën këtë vrasje qetësisht, që ngritën një strukturë të armatosur paralele me të shtetit, që bënë dhunë e ngjallën terror , duke ndaluar njerëz , sikur të ishin policia politike e Gazmend Bardhit, dhe ky i fundit të gjykohet për ngritjeen e një njësie naziskine, mos mendoni se Berisha do të tronditet. Do të ketë një kauzë të re, por duart do i fërkojë nga kënaqësia.
Po dinjiteti? E kush pyet për të. Shumë nga deputetët e tanishëm nuk kanë as dinjitet, as ndërgjegje. Janë të gatshëm të shesin çfarë të munden, vetëm për të qëndruar në listat e sigurta të shefit të tyre. Të ri- jenë deputetë. Edhe pse pa emër, ata duan të jenë aty. Të vetdijshëm se dinjiteti i tyre ka bjerrur, kjo nuk është e rëndësishme. Ata marin frymë, kur shefi i tyre merr frymë, flasin si ai, përpiqen të ecin si ai, të qeshin si ai , ushqehen si ai. Kaq është shkalla e tyre e dinitetit.
Të tjerë, që kanë ruajtur në veten e tyre më njerëzoren, dinjitetin e tyre vetiak, ata duken si të huaj në atë sallë, janë jashtë kohës, dhe, si të tillë, nuk mund të ngjitin shkallët e karrierës politike.