KLSH ka kallëzuar në Prokurori, kryetarin e Bashkisë Kukës, Bashkim Shehun për shkak se pas një auditimi të bërë në këtë institucion janë gjetur abuzime me detyrën, të cilat kanë shkaktuar një dëm prej 59 milionë lekësh dhe 65 milion lekë të tjera janë shpenzime jo në përputhje me administrimin e fondeve publike, shkruan Shqiptarja.com
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin në Bashkinë Kukës, për periudhën 01.01.2015 deri më 30.06.2017, me objekt: “Vlerësimi i përputhshmërisë mbi shkallën e zbatimit nga subjekti i audituar i ligjeve, rregulloreve dhe politikave të vendosura”.
Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish në zbatimin e dispozitave përkatëse ligjore e nënligjore në fushën e prokurimeve, sidomos përsa i përket përzgjedhjes së procedurave të prokurimit; përllogaritjes së sasisë së punimeve; hartimit të kritereve për pjesëmarrje në procedurat e prokurimit; vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë konkurrues; si dhe mosrespektim dhe moszbatim të kushteve të kontratës së nënshkruar midis palëve.
Më konkretisht, nga auditimi i tetë procedurave të prokurimit: (1) Shërbimi mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve, (2) Rikonstruksion i qendrës sociale-Kukës, (3) Mirëmbajtje dhe pastrim i rrugëve nga dëbora, (4) Mirëmbajtje e rrjetit rrugor rural të Bashkisë Kukës, (5) Sistemim i Qendrës së fshatit Orgjost, (6) Rikonstruksion i rrugës Myç-Mëmëz-Vend depozitimi i mbetjeve + ndërtimi i rrethimit të jashtëm të vend depozitimit – Viti 2016, (7) Mirëmbajtje e rrjetit rrugor rural të Bashkisë Kukës, (8) Mirëmbajtje dhe pastrim i rrugëve nga dëbora, kanë rezultuar shkeljet si më poshtë:
Janë lidhur kontrata duke përdorur procedurën e prokurimit “Negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, në kushtet kur nuk administrohet asnjë dokumentacion teknik dhe ligjor mbi përdorimin e procedurës, si dhe pa negociuar ofertën e paraqitur, për të cilën është lidhur edhe kontrata shtesë.
Janë nënshkruar shtesa kontrate pa disponuar dokumentacionin bazë të kontratës fillestare, pa asnjë preventiv të zërave të punimeve shtesë, si dhe pa asnjë argument apo relacion teknik mbi domosdoshmërinë e kryerjes edhe të zërave për punime shtesë, madje në disa raste për zëra punimesh të cilat nuk ekzistojnë.
Janë vlerësuar dhe shpallur si fitues OE pa provuar nëse kandidatët ofertues me të cilët janë nënshkruar kontratat shtesë plotësojnë minimalisht kërkesat e LPP.
Janë nënshkruar shtesa kontrate për zëra punimesh të ndryshëm nga preventivi bazë, zëra në preventivin shtesë, si dhe volume të cilat nuk përputhen me librezën e masave.
Janë prokuruar për të investuar në një objekt me gati të njëjtat zëra punimesh, të cilat kanë qenë parashikuar që në investimin e parë të kryer nga ish-Komuna Kolsh, kur investimi i parë rezulton brenda periudhës së garancisë 2 vjeçare, duke mos kërkuar nga sipërmarrësi i punimeve korrigjimin e defekteve.
Janë kryer pagesa për “shërbimin e mirëmbajtjes dimërore” të 17 akseve rrugore në muajt Korrik dhe Gusht.
Janë favorizuar sipërmarrësit e kontratave të shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve, nëpërmjet likuidimit të volumeve të punës dhe shërbimeve të pa kryera në fakt, si dhe të pa monitoruara e pa kontrolluara mbi cilësinë e punimeve dhe dëmtimeve në rrugë.
Në lidhje me shkeljet e sipërcituara, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, kallëzimin penal nr. 774/19, datë 31.12.2017, ndaj Bashkim Shehut me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe Titullar i Autoritetit Kontraktor me akuzën e konsumimit të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke e orientuar organin e Prokurorisë që të shtrijë hetimet edhe drejt saktësimit të përgjegjësisë penale të një sërë nëpunësve dhe ish-nëpunësve të tjerë të këtij institucioni të konstatuar me shkelje në Raportin Përfundimtar të Auditimit të KLSH-së.
KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Kukës masa me karakter organizativ në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhetin e institucionit, kryesisht në administrimin e tatimeve dhe taksave, në vlerën 32 milionë lekë.