Forca transformuese e Berishës për t’i nxjerr njerëzve më të keqen brenda vetes së tyre, është e jashtëzakonshme.
Kemi parë gjatë kësaj periudhe se si janë shndërruar miqtë në armiq dhe të afërmit janë bërë të largët vetëm për shkak se besojnë që Berisha ka në dorë fatin e tyre.
Besim i verbër, sepse Berisha s’ka në dorë as veten e vet e jo më ata.
Një ndër më tipikët e kësaj metamorfoze është shqiptaro-amerikani nga Puka, Alfred Lela, i cili nga një besimtar i madh i vlerave amerikane, është shndërruar në kamikaz të Berishës (sigurisht që nuk e bën falas), dhe mbrëmë u pa se si e trajtoi ish-mikun dhe kolegun e tij, gazetarin dhe analistin Fitim Zekthi.
Por gjithmonë ka një pasqyrë që i vihet njeriut për të parë se çfarë ka shkruar dhe çfarë ka menduar dikur për atë që mbrëmë nuk la gjë pa i thënë.
Më poshtë po sjellim një shënim të Alfred Lelës pikërisht për Fitim Zekthin:
“Fitim Zekthin do doja ta shihja në Parlament (ka qenë kandidat i PD në Qarkun e Elbasanit, por jo në një vend ‘të mjaftueshëm’). Ai do të ishte një pikë përunjësie në atë det ‘kuvendarësh’, shumica e të cilëve, pordhacë të mbushur me ajrin e ndotur të boshit.
Në këtë qytet, Zekthi është nga ata që udhëton në kah të kundërt. Me kotnitë e vanitetit; me boshësitë e boshit; me çapaçulët e vegjëlisë që janë ‘rritur’ e bërë parveny; me pjeshkat e rëna dege e të bëra komposte konsumerizmi të pafre; me analistët që flasin e nuk dëgjojnë e as lexojnë; me politikanët që nuk futen në shërbimin publik për publiken, por për qesen e vet; e me radhë.
Ky është Fitim Zekthi. Ose të paktën përfytyrimi im, dhe i disa të tjerëve, për të.
Ai është arsimuar për shkenca ekzakte, ekzaktësisht për Matematikë, por është marrë me Gazetari që herët. Është besimtar, por nga ata me libër, jo me shpatë. Është, më shumë se çdo gjë, një njeri i mirë. a.l.”
https://politiko.al/fitim-zekthi-flet-per-leximet-dhe-femijerine-libri-cili-kushtonte-shume-dhe-nuk-e-blija-dot-edhe-pse-e-doja-shume/