Një tërmet me magnitudë 3.8 dhe me thellësi 15 km lëkundi qytetin Fierit mbrëmjen e sotme. Tërmeti ka rënë në orën 19:32, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe në Vlorë, në Lushnje e Mallakastër dhe kanë zgjatur vetëm pak sekonda.
Sipas, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, epiqendra e tij ka qenë në fshatin Kuman në Fier, ndërsa deri më tani nuk raportohet për dëme materiale e as për persona të lënduar.
“Sipas raportimeve nga Instituti i Gjeoshkencës është regjistruar një tërmet me magnitudë 3.8, më datë 25.10.2024, në orën 19:32:42. Epiqendra ndodhet në fshatin Kuman, Bashkia Fier, me koordinata 40.711° N dhe 19.687° E, në një thellësi prej 15 km. Nga komunikimet e marra deri tani, nuk raportohen probleme për komunitetin apo dëmtime në infrastrukturë. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitorojnë situatën për çdo zhvillim të mëtejshëm”, thuhet në njoftim.