Tritani, i lodhur dhe i pagjumë nga një natë e tërë ankthi për shkak të pyetësorit famëkeq të OSBE-së, vendosi të kërkojë ndihmë te lideri i tij shpirtëror, Doktori.
Përpara tij u konsultua me Mulin.
-Dua të shkoj tek Doktori të sqaroj këtë punën e formularit të OSBE, që na kërkon të shprehemi për gjininë.
-Nuk kam mundur të fle gjithë natën.
Ky pyetësor më ka shkatërruar!
Si guxojnë të më pyesin nëse ka një ‘opsion tjetër’ për gjininë?
A nuk është ky një provokim ndaj kombit, ndaj burrërisë sonë tradicionale?
-Patjetër, i tha Muli. Është një provkim dhe për besnikërinë tonë ndaj Doktorit.
Duan të testojnë a ndërrojmë gjininë, për të kuptuar a ndërrojmë dhe partinë.
-Ke shumë të drejtë, i tha Tritani. Po shkoj t’ia tregoj.
Doktori, duke marrë pozën e një kalorësi të madh, ngre dorën nga dritarja dhe me zërin e tij epik, përgjigjet:
-“Tritan, mos u tremb! Kjo nuk është asgjë më shumë se një mashtrim modern!
Këta mullinj erërash të OSBE-së përpiqen të shpërqendrojnë mendjet tona të kthjellëta me këto opsione të çuditshme gjinore.
Ne do t’i luftojmë ashtu siç kemi luftuar gjithmonë korrupsionin; me ndershmëri, besnikëri dhe traditat tona të shenjta prej konservatorësh!”
Tritani i frymëzuar nga padroni i tij dhe i mbushur me një ndjenjë të re heroizmi, ngrihet në këmbë dhe thotë:
-“Po, komandant! Do ta rrëzojmë këtë pyetësor si një përbindësh të mashtrimit modern!
E si guxojnë të na përqeshin me këto ‘opsione gjinore të tjera’?
Kjo është lufta jonë e shenjtë!
Sot na kërkojnë të ndërrojmë gjininë, nesër të ndërrojmë partinë.
Është njësoj sikur të na pyesi dikush deklaroni me kë parti jeni, ndërkohë që gjithë bota e di me kë jemi.
Ashtu siç të gjithë e dimë që jemi me PD e dinë që jemi dhe burra.”
-Tritan, ke të drejtë. Është provokim. Mos u dorëzoni.
Këta e nisin me logon dhe vulën duke na detyruar të deklaroheshim parti tjetër, por ne nuk u dorëzuam.
As OSBE nuk do t’i dorëzohemi të deklarojmë gjininë.
Sytë në ballë i kanë le ta kuptojnë çfarë jemi.