Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Ymeraj nuk është i panjohur në opinionin publik apo për politikën shqiptare. Ai njihet si një nga miqtë më të fortë të kreut të Kuvendit, njëherësh dhe kreu i LSI Ilir Meta. Aq mik ka qënë dhe është me Metën, sa kur u hodh shorti për të gjykuar në Gjykatën e Lartë Ilir Metën për përgjimin e realizuar nga ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, ku Meta me zë dhe figurë kërkonte 700 mijë euro në dorë për një aferë korruptive, anëtari i Gjykatës së Lartë Besnik Imeraj dha dorëheqjen nga gjykimi me argumentin se e ka mik të ngushtë dhe është njeriu i tij. Kjo është pasqyruar jo vetëm në dokumentacionin e Gjykatës së Lartë, ku procesi kishte Dhrovjanin si relator, por është pasqyruar dhe në të gjitha mediat shqiptare. Për këtë mjafton të “googlosh” dhe e gjen dorëheqjen e Imerat, mikut të Metës nga gjykimi i aferës së 700 mijë eurove.
Por Imeraj ka qënë njeriu që “shiti” tërë hetimet tek Meta ku përmes avokatit Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja(ky i fundit anëtar i KQZ përfaqësues i LSI të Metës) bëri që çështja të dështonte, por dhe përmes ekspertëve, të gjithë të përzgjedhur nga vetë Meta përmes Imerajt dhe Serjanit, njëri anëtar i Gjykatës së Lartë tjetri avokat.
Besnik Imeraj, në Gjykatën e Lartë ka “pritur” dhe kreun e PD Lulzim Basha, asokohe Ministër Transportesh, të cilit për çështje procedurash i bëri “gjëmën” e liroi nga akuza e vjedhjes së 230 milionë eurove të Rrugës së Kombit, kallëzim ky jo nga opozita por nga KLSH që drejtohej nga njerëzit e mazhorancës së atëhershme të Berishës, por që nuk kishin çfarë bënin, nxorën 230 milionë euro vjedhje e shpërdorime.
Një gjyqtar si Imeraj, tashmë anëtar i Kushtetueses ia gjeti anën dhe Basha doli pa gjëmb në këmbë nga kjo çështje.
Prandaj dhe në vendimin për pezullimin e “Vettingut” në Gjykatën Kushtetuese anëtari i kësaj gjykate Besnik Imeraj mësohet se ka qënë “violinë e parë” pro, duke e dërguar këtë çështje në “Venecia” për të zvarritur procesin e “Vetingut” deri në pafundësi, pikërisht sepse e do jo vetëm ai për të mbuluar abuzimet dhe pisllëqet e tij, por dhe Ilir Meta dhe Sali Berisha, një shërbim ky “neto” politik./Pamfleti.com
Precedentët:
Lirimi nga akuzat i Bashës, reagimi i prokurorisë
Ish-ministri i Transporteve, i akuzuar nga prokuroria për abuzime në skandalin e rrugës Durrës-Kukës, është liruar nga të gjitha akuzat. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i dha pafajësi kryediplomatit Basha dhe ish-vartësit të tij, Andi Toma, duke i shpallur absolutisht të pavlefshme të gjitha ato akte shkresore që e deklarojnë një person të pandehur karshi krimit penal të kryer.
Ministri nuk mundi të provojë në gjykatë pafajësinë e tij për akuzën e korrupsionit por shpëtoi falë një “autogoli” të prokurorisë, e cila shkeli afatet ligjore për hetimin e një çështjeje duke kthyer çdo veprim në të pavlefshëm. Veprimet e prokurorisë i dhanë mundësinë ministrit të akuzuar për miliona euro abuzime që të shpëtojë pa u gjykuar. Ka qenë kryesuesi i pesëshes gjykuese pranë këtij kolegji penal, gjyqtari Spiro Spiro, i cili për 45 minuta lexoi arsyetimin e shpalljes absolutisht të pavlefshme të të gjitha akteve hetimore e procedurale të kryera nga institucioni i akuzës për “dosjen” e rrugës Rrëshen-Kalimash jashtë afateve hetimore dhe vendosi pushimin e çështjes.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë nuk i la prokurorisë asnjë shkak për të rinisur hetimet ndaj Bashës. E vetmja mënyrë për të rinisur hetimet është gjetja e ndonjë prove të re. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, prokuroria në kundërshtim me ligjin, konkretisht me disa nene të Kodit të Procedurës Penal, ka përpiluar një sërë aktesh hetimore e procedurale, që kanë sjellë para togave të zeza shtetasin Lulëzim Basha e Andi Toma.
“Nga parashtrimi i kërkesave paraprake të palëve dhe administrimit të provave materiale të ndryshme nga pala mbrojtëse dhe akuzës, gjykata vëren se Prokuroria e Përgjithshme ka kryera pas përfundimit të afateve ligjore të hetimit të çështjes, që ishte data 6 nëntor 2008, disa veprime hetimore e procedurale në kundërshtim me ligjin. Kështu, gjykata pasi është këshilluar, vendos të shpallë absolutisht të pavlefshme fletë-thirrjen e dërguar në adresë të shtetasve Lulëzim Basha e Andi Toma për tu njohur me akuzat, vendimin e mbylljes së fazës hetimore, përpilimin e kërkesës për gjykim si dhe vendimin e dërgimit të kësaj dosjeje pranë Gjykatës së Lartë.
Të gjitha këto veprime janë absolutisht të pavlefshme pasi janë kryer pas datës 6 nëntor 2008, datë e cila është caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, Apelit dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë për shfuqizimin e vendimit të zgjatjes së afateve hetimore deri më 6 dhjetor 2008.Për këtë arsye vendosim pushimin e çështjes”,- tha gjyqtari Spiro gjatë leximit të vendimit, fjalët e të cilit i miratonte me lëkundjen e kokës në shenjë pohimi edhe vetë Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha.
Sipas vendimit të pesëshes gjykuese, arsyetohet se pavlefshmëria e dërgimit të fletë-thirrjes dhe mbyllja e fazës hetimore nga ana e prokuroreve të çështjes ndaj Lulëzim Bashes e Andi Tomës, është kryer në kundërshtim të ligjit dhe shkeljes së të Drejtës Kushtetuese pasi për çdo shtetas prokuroria është e detyruar t’i japë një afat kohor të arsyeshëm për tu njohur me aktet hetimore, për të përgatitur më pas mbrojtjen e tij para gjykatës.
Gjykata pohoi, se e gjen të pajustifikuar vakuumin e kohës prej gati 12 muajsh, që nga koha që prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe njoftimin e tyre me akuzat e ngritura dhe mbylljen e fazës hetimore.
Gjithashtu, gjyqtarët argumentuan se e pavlefshme është edhe akuza e “shkeljes së barazisë në tenderë” ndaj dy ish-të pandehurve, pasi kjo vepër penale është ngritur pasi Gjykata ka ndërprerë afatet hetimore të dosjes. Kështu, me vendimin e djeshëm, ministri Basha dhe tashmë ish- i pandehuri Toma i shpëtuan gjykimit të tyre për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tender apo ankande publike të kryera nga zyrtarë të lartë shtetërorë” të konsumuara në tenderimin dhe përzgjedhjen e fituesit për ndërtimin e tunelit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash si pjesë e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.
Prokuroria: Do rinisim hetimet për Bashën
Pushimi i akuzave ndaj Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha dhe ish-vartësit të tij Andi Toma, u cilësuan nga zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme si një vendim politik dhe me dy standarde në dhënie të drejtësisë. “Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë ndaj të pandehurve Lulëzim Basha e Andi Toma, ishte një vendim politik, pasi po këto gjyqtarë japin drejtësi me dy standarde, për shtetasit e thjeshtë dhe atyre me imunitet”- tha njëri nga zyrtarët e lartë të Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas tyre, dy gjyqtarët e këtij Kolegji Penal, kryesuesi Spiro Spiro dhe anëtari Besnik Ymeraj, në vitin 2005 kanë pranuar këtë mënyrë procedimi nga prokuroria, ndërsa, në rastin e deputetit Basha kjo metodë e akuzës nuk pranohet duke shpallur absolutisht të pavlefshëm të gjitha aktet procedurale të hetimit të kësaj dosjeje.
Për raste analoge, gjyqtarët kanë dhënë vendime në favor të prokurorisë kur është bërë fjalë për të pandehur të zakonshëm por rrëzuar çdo pretendim të saj në rastin “Basha”
Ky vendim, mbyll çdo përpjekje të Prokurorisë së Përgjithshme për të riformuluar akuzat dhe rinisur hetimet pa zbuluar apo nxjerrë ndonjë fakt të ri në favor të hetimit të çështjes.
“Institucioni i akuzës, është i vendosur që dy shtetasit Lulëzim Basha e Andi Toma të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha abuzimet e kryera në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash si pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë.
Ne, në ditët në vazhdim do të procedojmë me një analizë të thellë, ku do të shohim mundësinë e ringritjes së akuzave ndaj shtetasve Lulëzim Bashës e Andi Tomës, pasi edhe Gjykata e Lartë nuk është shprehur në lidhje me veprat penale të kryerja nga dy shtetasit, por vetëm me shkeljet sipas saj të procedurave hetimore e procedurale në fazën e hetimit”.
“Me vendimin e djeshëm, institucioni i akuzës, nuk mund të rifillojë hetimet, pasi në vendimin e Kolegjit Penal trupa gjyqësore është shprehur se “pushohet çështja, për pavlefshmëri absolute të hetimit”, gjë që nuk na lë shteg për të rifilluar hetimet.
Ne do të presim nxjerrjen apo gjetjen e një prove apo fakt të ri, për të rifilluar hetimet, pasi ndryshe kjo dosje do të mbetet e pezulluar gjithmonë, pasi procedurat e hetimit të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike” janë shpallur të pavlefshme”, reagonte prokuroria asokohe, por që nuk u bë realitet asnjëherë. Sipas tyre, nëse gjatë ditëve në vazhdim institucioni i akuzës mund të zbulojë një provë të re, do të regjistrojë procedimin penal dhe më pas të fillojë hetimet ndaj Bashës e Tomës me një regjistrim të ri të procedimit penal. Në kërkesën paraprake, kërkohet gjithashtu shpallja e pavlefshme e konkluzioneve të ekspertëve të huaj pasi prokuroria nuk e ka vënë në dijeni mbrojtjen, e cila mund të kishte dhënë opinion në lidhje me çështjen në fjalë. Gjatë relatimit të argumenteve mbrojtëse, avokati Petrit Serjani, është shprehur se mbrojta nuk ka mohuar kryerjen e bisedave mes personave në video, por ka këmbëngulur se zbardhja e videos me titra është manipuluar nga Dritan Prifti dhe persona të tjerë, duke kërkuar edhe shpalljen te pavlefshme të dëshmive të dhëna nga Dritan Prifti si person i akuzuar në një çështje të ndërlidhur me çështjen në fjalë.
Ndërsa prokurori Bujar Sheshi, i ka kërkuar Kolegjit Penal kohë të mjaftueshme për studimin e kërkesës paraprake të depozituar nga mbrojtja, kërkesa e prokurorit u pranua duke shtyre seancën e radhës më 27 qershor.
Gjyqtarët e Bashës me dy standarde
Vendimet e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjejnë zbatim të detyrueshëm nga çdo gjyqtar të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në vend. Por, kur vendimet janë kontradiktore mes tyre dhe me dy standarde, zbatuesit e këtyre vendimeve japin drejtësinë mbi bazën e interesit, pasi nuk janë të qartë se cili është vendimi i drejtë.
Gjatë paradites së djeshme Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin e saj ndaj shtetasve Lulëzim Basha e Andi Toma, ka hedhur poshtë duke i deklaruar absolutisht të pavlefshme të gjitha veprimet hetimore e procedurale të kryera pas mbarimit të afatit hetimore të kësaj dosje. Ndërkohë, në katër vendimet që “Shekulli” disponon tregojnë që gjyqtarët kanë shkelur ligjin.
Në këto vendime tregohet se kryerja e veprimeve procedurale e hetimore pas mbarimit të afatit të hetimit nga prokuroria është pranuar duke i dhënë të drejtën mbrojtësve të parashtrojnë kërkesat e tyre në seancën gjyqësor për vlerësimin e provave materiale. Ndërsa, në rastin e deputetit Basha këto veprime sipas vendimit janë absolutisht të pavlefshme dhe gjykata ka vendosur pushimin e çështjes.
Për koincidencë, kryesuesi i togave të zeza gjyqtari Spiro Spiro dhe anëtarët e kësaj trupe Besnik Ymeraj e Perikli Zaharia në vendimet me nr. 430 të datës 16 korrik 2003, vendimin me nr. 67 të datës 4 shkurt 2004, në vendimin e datës 13 korrik 2005 që mban nr. e vendimit 536 dhe në vendimin e datës 20 dhjetor 2006 me nr. 778 Kolegjet Penale të Gjykatës së Lartë i kanë dhënë të drejtë prokurorisë, duke i kërkuar palës mbrojtëse të parashtrojnë pretendimet e tyre në fazën e gjykimit. Ndërsa, në rastin e Bashës, gjykata i jep të drejtë shtetasit Lulëzim Basha dhe Andi Toma, duke i liruar nga akuzat.
Çështja “Meta”, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pranon gjykimin në mungesë
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pranoi gjykimin në mungesë të Ilir Metës dhe përfaqësimin e tij nga dy avokatët Pertit Serjani dhe Gëzim Veleshnja. Ndaj ish ish-zv/kryeministrit, njëherësh lider i LSI-së, rëndon akuza e korrupsionit aktiv. Relatori i çështjes Ardian Dvorani, ka njoftuar dorëheqjen nga çështja të gjyqtarit Besnik Imeraj i zëvendësuar nga gjyqtarja Majlinda Andrea, si dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij nga çështja. Avokatët e Metës kanë depozituar pranë gjykatës kërkesën paraprake për shpalljen të pavlefshme të provave, veprimeve hetimore paraprake dhe konkluzionet e ekspertëve të huaj. Mbrojtja ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të të gjitha veprimeve paraprake hetimore të kryera nga prokuroria e Tiranës, pasi Ilir Meta në momentin e e kryerjes së këtyre veprimeve hetimore, ishte person me imunitet dhe si i tillë, çështja i kalonte direkt prokurorisë së Përgjithshme. Provat e paraqitura si video, ora e tavolinës që ka shërbyer për regjistrimin, CD të paraqitura nga Dritan Prifti pasi nuk janë mjetet origjinalet me të cilat është kryer përgjimi. Avokati tha se përgjimi nuk është bërë sipas dispozitave ligjore dhe për të denoncuar një vepër penale, por është bërë për arsye shantazhi.
Pikërisht pas këtyre fakteve, që nuk u morën fare për bazë gjykata vendosi shpalljen e pafajsisë së Ilir Metës.