Me një situatë katastrofike opozitare ku Ilir Meta është i kyçur në qeli ndërsa Sali Berisha në shtëpi dhe zgjedhjet janë vetëm 6 muaj larg, ky i fundit shfrytëzoi një pyetje të gazetarëve për ti çuar Ilir Metës një mesazh të kriptuar në qelinë e burgut.
“Do e ndihmoni Metën duke i siguruar lista të sigurta për kandidatët në zgjedhje?”, u pyet Berisha në një konferencë për mediat.
Berisha e la të hapur mundësinë e përfshirjes së kandidatëve të Partisë së Lirisë në listat e Partisë Demokratike, por nuk dha një “po” definitive, apo edhe simbolike qoftë.
“Çështja e koalicionit është e hapur. PD qëndron e hapur ndaj aleatëve të vet. Meta është i burgosur politik”, theksoi Berisha.
Në pamje të parë, kjo përgjigje ngjan me stilin e politikanit që përgjigjet duke mos thënë asgjë.
Por në kontekstin politik të momentit, kjo përgjigje e Berishës nuk është pa përgjigje.
Dhe Ilir Meta e di këtë. Kjo deklaratë e Berishës për të është si një sfidë që kujton se negociatat për listat sapo kanë filluar sepse status kuo-ja ndryshoi. Marrëveshja e dyshuar si e arritur më parë për një listë të përbashkët PD-PL ka rënë.
Pas mesazhit, Berisha rinisi refrenin e javës së fundit:
“Brutaliteti dhe prita ndaj Metës do të mbetet akti më kriminal në historinë e këtij vendi”.