Apeli i GJKKO vendosi të pranojë kërkesën e SPAK, për përsëritjen edhe njëherë të shqyrtimit gjyqësor në lidhje me të pandehurit e akuzuar për inceneratorin e Fierit.
Pas kërkesës së prokurorit Dritan Prenci, gjykata vendosi të thërrasë 8 dëshmitarë për t’u marrë në pyetje, mes tyre edhe të pandehurën Arjola Kodrën, administratorja e Inceneratorit të Tiranës, e cila u shpall e pafajshme nga GJKKO.
Në seancën në Apelin e GJKKO, e cila zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, prokurorët kërkuan prishjen e vendimit të Shkallës së Parë, në lidhje me pafajësitë që janë dhënë për Arben Dervishajn, Juri Imeraj dhe Arjola Kodra, si edhe për Alqi Ballkon, i cili u shpall i pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”,
Kërkesa e SPAK u kundërshtua nga avokatët, por nuk u mor parasysh nga Apeli i GjKKO. Seanca e radhës për të marrë në pyetje dëshmitarët do të mbahet më 7 nëntor në Apelin e GJKKO.
Më 25 shtator 2023, Gjykata e Posaçme dënoi me 10 vjet heqje lirie ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka për dosjen e inceneratorit të Fierit. Ndërkohë ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Bllako u dënua me 2 vite e 8 muaj burg për akuzën “shpërdorim detyre të nëpunësit që kryen detyrë publike”. SPAK, kërkon dënimin e tij për veprën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”.
Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 6 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.