Kryeministri Albin Kurti deklaroi se nuk mund të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi nuk i takon atij si kryeministër. Ai tha se kjo duhet të rrjedhë nga vetë komunat.
Gjatë konferencës për media që e mbajti të martën, Kurti tha se kishte ofruar disa herë të shkruante draft-statutin e Asociacionit, por ishte refuzuar. Sipas tij, çdo imponim për Asociacion “nga larg e nga lart” është i dëmshëm: “Unë jam kryeministër i një republike demokratike. Meqënëse Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione të komunave. Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen dhe bashkëpunojnë e kështu me radhë”.
Kurti u shpreh se marrëveshja bazike është kryefjalë në raportet me Serbinë. Ai tha se pa plotësimin e tri kushteve të Kosovës në dialog, nuk mund të ketë progres në këtë proces dhe as iniciativë për themelimin e Asociacionit: “Nuk është mirë të thuhet po dështojnë diskutimet, dialogu në Bruksel, por pse po dështojnë. Kosova është konstruktive, kreative e përkushtuar. Po dështojnë diskutimet dhe dialogu për shkak të qëndrimit të Serbisë”.
Kryeministri Kurti kërkoi nga ndërkombëtarët që të flasin me drejtësi dhe saktësi edhe rreth një iniciative serbe për ngritjen e një organi ligjor me prokurori e gjykatë që do të merret me çështjet që prekin Kosovën: “Padyshim që ky është edhe një veprim armiqësor dhe agresiv ndaj kushtetushmërisë, ligjshmërisë, integritetit territorial, sovranitetit, paqes, sigurisë në Kosovë. Dhe ne këtë e kemi thënë dhe e përsërisim, por në të njëjtën kohë që kjo pyetje duhet t’i adresohet shumë më tepër miqve e partnerëve e aleatëve tanë ndërkombëtarë”.
Kurti nuk pranoi të fliste nëse mbështet Kamala Harris apo Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane, pasi në zgjedhjet e kaluara kishte shprehur hapur mbështetjen për presidentin aktual, Joe Biden.