Më shumë se një mosbindje civile (e cila është një lëvizje proteste spontane që buron nga populli dhe që vazhdon pandërprerë për ditë e javë), kjo duket si një ‘mosbindje politike’ kundër SPAK-ut.
Për të bllokuar rrugët nuk nevojitet një popull i pakënaqur; mjafton një grup militantësh që ndjekin urdhrat e partisë. Pas dështimit të protestës së fundit në shesh, ku kishin marrë pjesë vetëm grupet e zakonshme të organizuara të PD-së, në numër shumë më të ulët se pritshmëritë, tani Sali Berisha ka ndërruar strategji duke përdorur po ato persona (madje dhe më pak) për të bllokuar kryqëzimet kryesore të vendit dhe për të çmendur trafikun.
Më shumë se një mosbindje civile (e cila është një lëvizje proteste spontane që buron nga populli dhe që vazhdon pandërprerë për ditë e javë), kjo duket si një ‘mosbindje politike’, e organizuar nga një opozitë që abuzon me rolin e saj institucional për t’u hakmarrë ndaj veprimeve të SPAK-ut dhe për të ushtruar presion ndaj drejtësisë.
Viktima e kësaj proteste sot nuk ishin as SPAK dhe as qeveria: sot viktimat ishin qytetarët, të detyruar të qëndronin të bllokuar për orë të tëra në trafik të çmendur. Asnjëri prej tyre nuk ishte i gatshëm të sakrifikohej për shkak se Sali Berisha dhe Ilir Meta janë të akuzuar për korrupsion.
Nëse e kuptojnë apo jo, protesta si ajo e sotme është një tjetër boomerang politik që, pasi ka fluturuar në qiell, do të rikthehet për të goditur atë që e hodhi. Gafa që Sali Berisha dhe ata që e mbështesin bëjnë është të besojnë se me këto manifestime po interpretojnë një vullnet popullor që ata duket se e mendojnë të paaftë për të protestuar vetë.
Në të vërtetë, populli në Shqipëri është i lirë, dhe nëse vërtet do të donte të protestonte kundër qeverisë apo kundër arrestimeve të Sali Berishës dhe Ilir Metës, do ta bënte vetë, pa pritur urdhrat e partisë. Dhe nëse nuk do të kishte aftësinë për t’u organizuar (por populli ka dëshmuar në të gjithë botën, madje edhe në Shqipëri, që kur është vërtet i lodhur, di të organizohet), do të kishte dalë në rrugë në dhjetëra mijë për të mbështetur protestat e PD-së.
Por, si sot ashtu edhe muajin e kaluar dhe si gjithmonë vitet e fundit, në kryqëzimet e rrugëve ishin vetëm militantët, jo populli. Ndërsa populli ishte brenda makinave në radhë, në anën tjetër të barrikadës, të gjithë të burgosur të një proteste pa asnjë kuptim politik./report tv