Juristi i njohur, Romeo Kara i është përgjigjur Ilir Metës, i cili po e sulmon dhe anatemon. Zoti Kara është personi që zbuloi aferën “CEZ-DIA” dhe paditi Metën në prokurori dhe falë tij sot ish-presidenti është në burgu. Por Meta po e sulmon sa herë del, të njëjtën gjë bëri dhe këtë fillim jave nga qelia, duke e akuzuar se është dënuar për dhunë në familje dhe shërbëtor i qeverisë. Për këtë arsye gazeta “SOT” kontaktoi juristin Kara, i cili ka zbuluar detaje nga dosja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që i bëri “gropën” Metës.
Sipas tij, faktet që faktojnë korrupsionin e ish-presidentit Meta janë të pakundërshtueshme. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, juristi i njohur, Romeo Kara thekson se ish-presidenti Meta, i cili akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mos deklarim të pasurisë, sipas tij, rrezikon minimumi deri në 15 vite burg.
-Zoti Kara, ish-presidenti Ilir Meta është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Çfarë ndikimi mund të ketë arrestimi i Metës mbi stabilitetin politik në Shqipëri dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Së pari, populli shqiptar për herë të parë pas 34 viteve të stërzgjatura tranzicioni, pikërisht nga instalimi në çdo qelizë të të trija pushteteve, të një korrupsioni të pashembullt, pa një organ akuze të përkushtuar në kryerjen e detyrës-misionit të tij, hetimin e korrupsionit në nivelin më të lartë të tij dhe forcën për t’u përballur tashmë me këdo, duke rrëzuar mitin e pandëshkueshmërisë. Për herë të parë ky popull shijoi shpresën se drejtësia mund ta thotë fjalën e saj, se ne mund të ndahemi nga qeverisja e krimit, se në fund të tunelit ka një dritë, se vendi mund të bëhet.
Tashmë ka filluar destabilizimi real i establishmentit të korruptuar politik dhe çarja e tij është e pakthyeshme. Kush ka eksperiencë dhe nuhatje politike e kupton më së miri se zhbërja e pengmarrjes së vendit ka filluar dhe ka hyrë në një fazë vendimtare. Meta iu bashkua fatit të Berishës dhe një aradhë ministrash dhe kryebashkiakësh të të trija partive, duke na provuar se drejtësia po fiton pavarësinë e shumëpritur. Po ashtu, faktori ndërkombëtar me shumë etikë e ka përshëndetur arrestimin e kësaj koke korrupsioni, duke i dhënë shumë rëndësi rënies së mitit të pandëshkueshmërisë. Sot populli feston, ndërsa hajdutëria po shijon fillimin e fundit të saj.
-Si i interpretoni kërcënimet e tij ndaj prokurorëve të SPAK-ut, dhe a besoni se këto mund të ndikojnë në procesin hetimor?
E keqja si koncept, ngado të vijë dhe sido të vijë, përdor si armën kryesore të saj shantazhin, presionin dhe kërcënimin për jetën, pronën, familjen, karrierën etj. Mbjellja e frikës ka qenë fatkeqësisht aleati më i fortë i së keqes në Shqipëri. Prandaj, përballja me të keqen së pari kërkon guximin për t’u përballur dhe për të marrë kosto deri në vetëmohim. Së dyti, retorika politike shqiptare tashmë e ka bërë traditë që kur nuk arrin të përballet me akuzën, denigron organin e akuzës. Pra, e shoh pa asnjë vlerë juridike këtë lloj retorike, përveçse mjerane dhe me qëllim shtrëngimin e radhëve të militantëve politikë rreth kryehajdutit kryetar të tyre.
-Dakord po zoti meta përmes një letre nga burgu deklaron me bindjne se ai është rrëmbyer nga mafia në pushtet, me urdhër të tre mercenarëve të saj, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi…
Së pari ka pasur një urdhër arresti nga gjykata, pra përtej asaj të SPAK-ut, prandaj duhet ta vlerësojmë këtë retorikë si hakmarrje ndaj organit të akuzës që guxoi dhe hetoi mbi aferat Meta-Kryemadhi dhe për më tepër të mos ndikojë apo intimidojë nga sulmet e tij të paprincipta. Duke njohur një pjesë të dosjes, ju siguroj absolutisht se, është pikërisht Meta që deri më tani nuk ka paraqitur asnjë argument mbrojtës përballë pyetjeve të faktuara nga media dhe nga organi i akuzës.
Nëse lexoni dosjen, do të shihni se me fakte dhe prova të pakundërshtueshme SPAK-u provon vizitën e tij të përbashkët me Ismailajn në Pragë në fundvitin 2010. Kjo provohet nga letra e ambasadës shqiptare në Pragë, sistemi TIMS, hyrjet daljet në të njëjtën ditë, orë dhe vend (sektori VIP në Aeroportin e Rinasit) si dhe dëshmitarët që kanë qenë pjesë e stafit të tij në METE. Retorika nuk e mbulon dot faktin ashtu siç dielli nuk mbulohet nga shosha. E kam parashikuar që në 24 korrik 2017, kur Meta po betohej si president se, meqenëse Ismailaj nuk shkon dot te Meta, do të shkojë Meta te Ismailaj. Deshi Zoti dhe ma dëgjoi dhe plotësoi pikë për pikë urimin tim për të, ndërkohë që ai bëhej president.
-Ndërkohë ish-presidenti Meta iu ka sulmuar edhe personalisht në letrën e tij të gjatë. Keni një koment?
Së pari, kallëzimi im është bërë në 18 tetor 2017 pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe unë ia kam bërë të ditur atij dhe publikut nëpërmjet medias ditën që ai u bë president. Së dyti, ka njoftime dhe emisione të tëra televizive lidhur me datën e këtij kallëzimi pikërisht në 18 tetor 2017. Së treti, ka një protokoll në Prokurorinë e Përgjithshme që mund ta konfirmojë këtë që unë po them. Së katërti, nuk jam aspak i dënuar për dhunë si pretendon ky paqësori, por edhe nëse do të isha i dënuar, ligji nuk ma ndalon të drejtën e kallëzimit ashtu siç nuk ia ndaloi Belerit të tij, kur kallëzoi nga burgu Jorgo Goron. Po të kisha qenë i dënuar, me siguri do të isha i ftuar në ditëlindjen e 45 të tij, të denjë vetëm për Al Caponen apo Pablo Escobarin.
Së pesti, asnjëherë nuk kam qenë punonjës i ndonjë regjimi dhe pikërisht për këtë kam qenë sfidë për këdo që ka pretenduar se nuk punon vetëm me ushtarë. Së gjashti, pikërisht sepse kallëzova me iniciativën time Metën dhe Berishën përpara tij, Gjiknuri dhe Rama bashkë çdo hap në karrierën time si dhe deri më tani nuk kanë paguar tarifën time të suksesit. Së shtati, e di mirë unë dhe çdo kush që e ka njohur çështjen ‘DIA-CEZ’ në arbitrazh se cili ka qenë kontributi im, në shpëtimin e ekzistencës së krejt OSHEE-së, prandaj punësimi im në OSHEE ka qenë i detyrueshëm për të bërë atë që bëra në arbitrazh dhe ajo fitore nuk mund të paguhet kurrë me një punësim. Në OSHEE kam punuar dhe punoj me devotshmëri, për t’i dhënë asaj dhe vendit, kam arkëtuar rreth 5.5 milion euro, do t’i arkëtoj përsëri 9.5 milionë euro të tjera, i shpëtova nga humbja rreth 180 milion euro dhe përsëri do t’i arkëtoj pas dënimit të Metës dhe disa dhjetëra milion euro të tjera.
Së teti, unë kam punuar me ndershmëri kudo, qofshin edhe me Ismailajn, vëllain karakterial të Metës, duke kontribuar me aftësitë profesionale dhe kohën time, por kurrë duke shitur shpirtin, vendin dhe popullin tim. Sipas këtij agai, të punosh për të jetuar je pa dinjitet dhe ke të drejtën për t’u përballur me agallarët e politikës. Pikërisht kjo ishte sfida e tij, që ai deri tani nuk e ka kaluar dhe as që ka për ta kaluar. Përballë tij qëndroi një njeri i thjeshtë, pa asnjë post shtetëror që pati guximin të përballej me të dhe të tjerë, për disa të vërteta të mëdha. Turpi i të paturpit është se: mundohet të komprometojë figurën time kur më vendos në krah të bashkëpunëtorit të tij në LSI, Elvis Mataj, vëllait të tij në korrupsion Kastriot Ismailaj dhe ortakut të tij në qeverisje Edi Rama apo mikut të gruas së tij, mashtruesit Gjiknuri, të cilit i uroj një bashkim sa më të shpejtë me Metën. E këshilloj ta mbajë mirë me Gjiknurin se drejtor burgu aty ku është ka pikërisht shoqëruesin e Gjiknurit. Është e pamundur për sojin Meta që t’i përkasë vetes, familjes dhe vendit të tij. Nga sot e tutje do t’i bëhet plotësisht e mundur.
-Duke marrë parasysh akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe deklarim të rremë, sa vite burg rrezikon Ilir Meta sipas ligjeve shqiptare dhe si mund të ndikojë kjo në karrierën e tij politike në të ardhmen?
Minimumi 15 vite. Të mos harrojmë se ka plot akuza publike për vrasje apo afera të tjera korruptive. Karriera e tij politike i përket dhe do t’i përkasë vetëm së kaluarës. Për këtë gjë jam plotësisht i sigurt.
-Ka zëra se Ilir Metës mund t’i kërcënohet jeta në burg, duke qenë se ka pasur shumë poste dhe se aty mund të përballet me personazhe që mund t’i ketë sulmuar ose akuzuar politikisht. Sa gjasa ka të ndodhë kjo gjë?
Ka vetëm një mundësi, që ai në shpërthim emocional të pakontrollueshëm ta përplasi kokën e tij gjynahqarë nga të mundet e ku të mundet.
-Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar seancën paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe katër të pandehurit e tjerë. Seanca do të mbahet më 25 nëntor. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka përfunduar hetimet për 5 të pandehurit e dosjes “Partizani”. Sali Berisha është i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Çfarë pritet të ndodhë dhe rrezikohen pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha?
Ajo që unë besoj se do të ndodhë, është që çështja të kalojë për gjykim, pra i shoh të pakta gjasat që ajo çështje të pushohet. Nuk shoh asnjë mundësi për lehtësimin e pozitave të Berishës, duke marrë parasysh se edhe ai, ashtu si Meta është zhytur në një pafundësi aferash korruptive. Mjerë ne nga kush jemi qeverisur dhe mjerë ata për veten tani e tutje.
-Ndërkohë, teksa shohim dosjen që SPAK ka dërguar në GJKKO, bie në sy se hetimi për pastrim parash për Sali Berishën është i ndarë nga dosja “Partizani”, pra është fraksion më vete. Si e vlerësoni punën e SPAK-ut në hetimin pasuror të Sali Berishës dhe cilat janë faktorët që e bëjnë këtë hetim të veçantë në krahasim me të kaluarën?
Nëse krahasojmë dosjen Berisha me atë Meta, ku çështjet janë bashkuar, vërejmë një diferencë të madhe qarkullimi parash në rastin Berisha. Pra, pesha e kësaj pjese të dosjes, harta e qarkullimit të parave, verifikimet e kërkuara, dëshmitë, etj, kanë bërë që prokurorët ta shohin të nevojshme ndarjen e çështjeve. Puna e SPAK-ut është ekselente në rastin e dosjes Berisha, e cila vjen më e plotë dhe tërësisht e pakundërshtueshme. Besoj se dosja Meta do të ketë edhe disa hetime të mëtejshme.
-Po sulmet e Berishës ndaj SPAK-ut si i shihni? A janë kërcënime nga frika e hetimeve?
Kërcënime stereotipe berishiane të dala boje, të cilat nuk trembin as laraskat e rrugës ‘Mustafa Matohiti’.
-Po kaosin e krijuar nga opozita në Parlament dhe kërcënimet për mosbindje civile si e shikoni?
E shoh si mosbindje ndaj drejtësisë, pra krejtësisht të kundërtën e asaj që predikon mosbindja civile. E shoh si thirrje për të mbajtur gjallë pazarin politik, mbajtur peng institucionet e drejtësisë, mos lejuar krijimin e alternativave të reja politike dhe për më tepër si tentativë dashakeqëse deri në kalimin në luftë civile. Të korruptuarit do të luftojnë të mbajnë me thonj parajsën që po u rrëshqet nga duar, pikërisht duke destabilizuar rendin dhe vendin në çdo aspekt, prandaj duhet të vlerësojmë pse pikërisht tani po nxiten trazirat, nga kush po nxiten dhe kush përfiton prej tyre. Këto trazira janë revolucioni i fundit i zi i Berishës.