Serie A e futbollit zhvilloi këtë të diel katër ndeshjet e radhës të vlefshme për raundin e 11-të. Gjithçka nisi në 12:30 me humbjen 0-3 të Napolit në shtëpi kundër Atalantës. Në 18:00 Verona fitoi 3-2 ndaj Romës, teksa gjithçka u mbyll në “Meazza” ku Inter fitoi 1-0 ndaj Venezias mes dramës dhe rihap garën për kreun.
Në “Maradona” kryesuesit e Napolit humbën për herë të dytë këtë sezon. Ishte Atalanta me Gjimshitin në fushë që fitoi 0-3 duke kthyer djemtë e Contes me “këmbë në tokë”. “Simfonia” De Ketelaere – Lookman funksionoi në minutat 10 dhe 31, për dopietën e sulmuesit Lookman. Në fundin e sfidës ishte Retegui që shënoi edhe golin e tretë. Paçka humbjes Napoli qëndron në krye, ndërsa me 22 pikë bergamaskët ngjiten në pozitën e tretë. Nota 7.8 për Berat Gjimshitin që ishte ndër lojtarët më të mirë në fushën e lojës.
Në “Bentegodi” Verona fitoi 3-2 kundër miqve të Romës. Duket se me këtë humbje trajneri Ivan Juric ka “mbushur kupën” dhe mund të shkarkohet nga drejtuesit. Për vendasit shënuan Tengstedt në minutën e 13-të, Magnani në të 34 dhe Harroi në të 88. Ndërkohë që Rocha në fund u ndëshkua me karton të kuq te Verona. Nga ana tjetër Roma barazoi dy herë me Soule në të 28 minutë dhe Dovbyk në të 53′.
Në “Meazza” Interi fitoi 1-0 ndaj Venezias dhe shkon në vetëm -1 pikë nga kryesuesit e Napolit. Sfida për kampionët në fuqi nuk ishte e thjeshtë, teksa qëndruan në lojë edhe falë Sommer. Minuta e 51 solli golin e Mkhitaryan, që u anulua për pozicion jashtë loje. Duhej e majta e Dimarcos që të harkonte një pasim perfekt për Lautaron, me kapitenin që shënoi golin e vetëm me kokë në minutën e 65-të dhe rihap garën për kreun e Serie A. Fundi mund të ishte dramatik për zikaltërit, me Sverkon që barazoi gjithçka në aksionin e fundit, por kryesorja Caputi pas konsultës me VAR anuloi golin për faull.
Në Torino, Fiorentina fitoi 0-1 kundër vendasve me golin e Kean në minutën e 41-të dhe mban vendin e tretë pas pesë fitoreve radhazi.
Serie A, raundi 11-të:
E diel, 03 nëntor 2024
12:30 Napoli 0-3 Atalanta
15:00 Torino 0-1 Fiorentina
18:00 Verona 3-2 Roma
20:45 Inter 1-0 Venezia