Rreth 7,500 forca ushtarake po dislokohen në rajonin e goditur nga përmbytjet shkatërrimtare, njoftoi qeveria spanjolle të hënën, ndërsa është shtuar pakënaqësia për reagimin ndaj katastrofës që shkaktoi të paktën 217 viktima.
Ushtria dislokoi gjatë fundjavës rreth 5 mijë ushtarë për të ndihmuar me shpërndarjen e ushqimeve dhe ujit, për pastrimin e rrugëve dhe mbrojtjen e dyqaneve dhe pronës nga grabitësit. Rreth 2,500 ushtarë të tjerë do të dërgoheshin në vazhdim, i tha ministrja e Mbrojtjes Margarita Robles kanalit shtetëror radiofonik RNE.
Një luftanije me rreth 104 ushtarë të këmbësorisë dhe kamionë me ushqime dhe ujë po i afrohej portit të Valencias, ndërsa një furtunë e fortë breshëri godiste Barcelonën, rreth 300 kilometra më në veri.
Ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdonin të hënën kërkimet për trupat e viktimave në garazhet nëntokësore përreth një parkimi për gati 5 mijë makina në qendrën tregtare Bonaire, pranë aeroportit të Valencias, si dhe në grykat e lumenjve ku mund të ishin mbledhur trupat e të vdekurve.
Numri i viktimave nga përmbytjet më vdekjeprurëse në historinë moderne të Spanjës arritën në 217 të dielën – pothuajse të gjithë në rajonin Valencia dhe mbi 60 prej tyre në rrethinat e qytetit Paiporta.
Zemërimi i banorëve u përqëndrua tek njoftimet e vonuara nga autoritetet për rreziqet e përmbytjeve dhe reagimin e vonuar që mendohet se u bë nga shërbimet e emergjencave.
Të dielën, disa banorë në Paiporta hodhën baltë ndaj Kryeministrit Pedro Sanchez, Mbretit Felipe dhe bashkëshortes së tij Mbretëreshës Letizia, duke thërritur: “vrasës, vrasës!”.
Ministri i Transportit, Oscar Puente tha të dielën se niveli i vdekjeve është stabilizuar, pasi janë identifikuar të gjitha viktimat e gjendura në sipërfaqe.
Reshjet e rrëmbyeshme të së martës dhe të mërkurës shkaktuan fryrjen e lumenjve, duke vërshuar nëpër rrugë dhe në katet e para të godinave, si dhe duke marrë me vete makinat dhe muret e godinave në valët e baltës.
Këto ishin përmbytjet me shkatërrimtare në Evropë në pesë dekadat e fundit.
Megjithëse reshjet kanë vazhduar gjatë pjesës tjetër të javës, nuk pati përmbytje të reja masive në zonë. Agjencia e motit qarkulloi një paralajmërim mëngjesin e së hënës për Barcelonën, ndërsa furtuna me breshër dhe reshje të dendura goditi qytetin e dytë më të madh të Spanjës.
Disa nga protestuesit e së dielës mbanin veshje me simbolet e organizatave të së djathtës së skajshme, që shpesh mbajnë protesta ndaj qeverisë së majtë. Ministrja e Mbrojtjes Robles tha se situata po shfrytëzohej politikisht nga grupet ekstremiste.