Ilir Meta u përplas ashpër me Altin Dumanin në seancën gjyqësore ku u vendos masa e arrestit me burg për ish-Presidentin.
Në intervistën e dhënë për Top Channel, ai tregon përballjen me kreun e SPAK, por mohon që ta ketë quajtur qen.
Në media është raportuar se në seancën e parë pas arrestimit ju keni pasur një përballje të ashpër me kreun e SPAK Altin Dumani. A është e vërtetë që i jeni drejtuar me etiketimet: “DumDumani, qen” etj. Çfarë ndodhi në seancën e gjyqit me kreun e SPAK, nëse mund të na jepni versionin tuaj?
Meta: Edhe këtë e shpikën gazetaret e SPAK-ut. Çdo gjë ka qenë e regjistruar dhe mund t’ia kërkoni gjykatës.
Por kini parasysh që unë i dua shumë qentë sepse ata janë besnikë dhe të dashur. Po kështu edhe macet. Ndaj një kompliment i tillë s’ka dalë nga goja ime për Dumanin.
Gazetarët pro Dumanit janë më qesharakët dhe më të neveritshmit që duan të mbrojnë dhe heroizojnë veprimet banditeske të një mercenari mediokër dhe hiperkarrierist.
SHBA zgjodhi President Donald Trumpin edhe pse ai ka qenë i dënuar nga gjykata e me shumë procese nga drejtësia sorosiane atje. Por ai as u ndalua, as u pengua të garonte dhe fakti që korri një fitore historike edhe të votës popullore është tregues se populli amerikan e konsideroi sjelljen e drejtësisë atje gjueti shtrigash.
Po kështu gjykatat kanë dënuar Sarkozinë, Berluskonin e shumë të tjerë, por ata nuk janë arrestuar.
Por këtu arrestohet Ilir Meta në mënyrë kriminale që të mos kemi vetëm në krye të SPAK-ut një Duman por edhe në krye të Partisë së Lirisë një KryeDumane. Fali o Zot për ëndrrat e tyre!