Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e shoqërisë “Marina Bay Saranda”, mbi heqjen e sekuestros për bazën detare në qytetin bregdetar. Pasi humbi procesin në të trija Shkallët, shoqëria në fjalë iu drejtua Kushtetueses, e cila vendosi ta rrëzojë këtë kërkesë.
Me këtë vendim, Baza detare e Sarandës do vijojë të mbetet nën sekuestro prevntive derisa SPAK të përfundojë hetimet dhe gjykatat të vendosin.
Baza detare e Limionit u sekuestrua me vendim të GJKKO në shkurt të vitit 2023, pas kërkesës së SPAK me arsyetimin se privatizimi i saj kishte cenuar operacionalitetin e forcave detare.
Kompania koncesionare e apeloi vendimin fillimisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por togat e zeza e lanë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Në 16 maj kompania e apeloi sërish vendimin, këtë herë në Gjykatën e Lartë. Por edhe kjo gjykatë ka vendosur ta lërë në sekuestro bazën detare.
Për të mos lejuar tjetërsimin e pronës së ushtrisë, në kushtet kur SPAK ka të hapur një hetim mbi procedurat e privatizimit,Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi Bazën Detare të Limionit në Sarandë.
Hetimi nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive. Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë.