Deputetët e Partisë Socialiste çdo ditë e më shumë po parashikojnë një fund të hidhur për treshen Berisha-Meta-Basha. Prej kohësh situata mes mazhorancës dhe opozitës është e nderë, ndërsa tensionin së fundmi e ka shtuar akoma më shumë projektligji “Për magjistratët”.
Më i ashpër është treguar deputeti i Fierit, Bujar Çela, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “Sot” ka deklaruar opozita me në krye binomin “Berisha-Meta” kërcënojnë me veto, pasi kanë frikë nga reforma në drejtësi dhe organet e reja të drejtësisë, sepse sipas tij, do t’ju dalin në dritë gjithë mëkatet që i kanë shkaktuar popullit shqiptar. Madje, deputeti Çela shkoi më tej, kur tha se fundi i Metës, Berishës dhe Bashës është i pashmangshëm, dhe se do përgjigjen për bllokimin e reformës në drejtës.
“Opozita, këtë reformë në drejtësi kur të kompletohet në gjithë kuadrin e ligjeve, e kanë frikë siç është ai “temjani”, frika nga temjani, dmth e kanë tmerr. Sepse këtë janë të mbuluar me të zeza që lidhen me dy kohëra. Dhe këta nuk do të kenë shans që t’i shpëtojnë drejtësisë së re që po troket, që nuk është më siç trajtojnë opozitarët: “Këta e ka bërë keq ky, apo ai”, dhe gjithmonë ia veshin një emër të keqes. “PD-LSI në çdo gjë që ndërtohet për mirë, shohin vetëm shkrirjen dhe vuajtjen e tyre pas kësaj. Kjo është opozita e thagmave dhe që unë shpresoj që këta nuk kanë askënd që t’i shoqërojë. Kjo opozita shtyn ditë e saj si ai ushtari që shtyn shërbimin. Thënë më drejtë, ata e kanë fundin të pashmangshëm. Dhe kjo do të ndodhë herët apo vonë. Por me një ndryshim do të jetë që ideatori i nxënësit Meta-Basha, do ta vuajë këtë gjë sipas mendimit tim, pas vdekjes kurse këta të dy në ngjallje”, deklaroi ai.
Çela “thumbon” opozitën
Duke u ndalur tek refuzimi që Partia Demokratike i bën reformës në drejtësi dhe më konkretisht miratimit të disa ligjeve, deputeti Çela thumboi opozitën duke theksuar se nuk jep dakordësinë pasi ka frikë nga kjo reformë. Sipas tij, opozita e sotme në Shqipëri është si ujku që nderon qimen, por nuk harron zakonin. “Opozita jonë i ngjan në mënyrë të përkryer shprehjes së popullit: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin se harron”. Kjo opozita jonë është opozita e hajdutit, kur është në pushtet. Dhe është opozita që qan edhe pa e “rrahur” kur është në opozitë. Pra Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka asnjë merak në lidhje me drejtësinë, ligjet dhe reformën në drejtësi, por kanë vetëm merakun e vetes. Domethënë opozita ka frikë me gërma të mëdha nga drejtësia e re dhe reforma në drejtësi. Kështu që ato që shkruhen në media dhe aludohen në lidhje me vilat dhe tërmetet në Gjirin e Lalzit, etj, etj nuk janë filozofi të gazetarëve por një realitet në sytë dhe veprimet e tyre”, nënvizoi deputeti i PS qarku Fier, Bujar Çela.
Abazi: Ja pse opozita po bllokon reformën
Në të njëjtën linjë me kolegun e tij socialist, dje u rreshtua edhe deputeti tjetër i Partisë Socialiste, Sadri Abazi. Gjatë një prononcimi Abazi u shpreh i bindur se arsyeja se përse opozita heziton të votojë ligjet e reformës, është frika që ajo ka, sipas tij. Po ashtu, deputeti i PS vuri në dukje se opozita nuk e ka dashur asnjëherë reformën, madje që në gjenezë.
“Opozita po synon bllokimin e ligjeve të reformës në drejtësi, pasi ka frikë. Pra opozita është vendosur në pozicionin që ka qenë, atë të mosmiratimit të reformës në drejtësi. Domethënë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë kundër reformës në drejtësi qysh në nisje dhe vijon të mbajë të njëjtin qëndrim dhe të jetë në të njëjtin pozicion. Kështu që nuk ka asnjë ndryshim nga rruga që kishte që në fillim”, deklaroi deputeti i PS, Sadri Abazi.