Policia ndërmori mbrëmjen e kësaj të premte një operacion masiv në disa zona të vendit. Kontrolle u ushtruan në fshatin Qerekë të Fushë Krujës, te Kodra e Diellit 2 në Tiranë si dhe fshatrat Vishje e Ibë. Po ashtu, mësohet se kontrolle antidrogë janë zhvilluar dhe në disa vila në bregdet.
Detaje të reja janë mësuar nga aksioni antidrogë i zhvilluar këtë mbrëmje në Tiranë dhe në fshatin Qerekë të Fushë Krujës.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për Balkanweb se disa persona janë ndaluar nga policia.
Dyshohet se të ndaluarit kanë bashkëpunuar edhe me grupe të huaja kriminale.
Në këtë aksion, i kanë ardhur në ndihmë policisë shqiptare edhe organe ligj-zbatuese ndërkombëtare. Në rezidencën “Kodra e Diellit 2” po bëhen kontrolle dhe me qenë antidrogë.
Pamjet e vilës te Kodra e Diellit 2, në Tiranë, ku u zbulua një laborator kokaine jepen në videon e mëposhtme. Punishtja e drogës ishte përshtatur në ambientet e brendshme të vilës, në zonën e njohur si lagjja e VIPA-ave.
Në fabrikën e kokainës të zbuluar në fshatin Qerekë janë sekuestruar 2 kg kokainë dhe përzierës. Ndërsa të Kodra e Diellit është sekuestruar vetëm një sasi droge. Grupi kriminal ndërronte vazhdimisht banesat, kjo për të shmangur rënien në sy dhe humbur gjurmët.
Operacioni mbrëmjen e kësaj të premte u zhvillua në disa zona si Kavajë, Shkozet, Vorë, Kamëz, Qerek dhe Tiranë te Kodra e Diellit.
Të dhënat paraprake flasin për 5 të arrestuar. Disa persona janë arrestuar në një lokal në Vishje, ndërsa kontrolle po zhvillohen edhe pak kilometra më tej, në fshatin Ibë.
Burime bëjnë të ditur se njëri nga të arrestuarit është nga Venezuela.
Mësohet se në këtë aksion kanë marrë pjesë disa agjenci ligjzbatuese. Në krye mësohet se qëndron SPAK dhe Prokuroria spanjolle. Operacioni besohet se është kryer pikërisht për llogari të autoriteteve të Spanjës.
Operacioni masiv antidrogë vjen disa orë pas takimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shtetit, Ilir Proda me zyrtarët e DEA-s, me qendër në Athinë.