Prokuroria e Përgjithshme ka nisur sot hetimet për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Hetimi ka nisur nga Seksioni i Dekriminalizimit në organin e Akuzës, pasi gjyqtari Thanza akuzohet për deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit.
Një ditë më parë, gjyqtari i Gjykatës së Lartë kaloi në ‘sitën’ e Vettingut, ku rezultoi me një sërë problemesh. Nga hetimi i thelluar i KPK, rezultoi se Thanza ka fshehur një dënim për vjedhje në Itali, duke mos e deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Report Tv ka siguruar sot formularin e Thanzës, në të cilin gjyqtari shkruan se nuk ka qenë i dënuar ndonjëherë. Ndërkohë, Prokuroria i ka kërkuar KPK dokumentin e dënimit për Thanzën, të siguruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).
(Formulari i vetëdeklarimit i gjyqtarit Admir Thanza)
Gjithashtu, gjyqtari kishte probleme dhe me pasurinë, pasi rezultonte me një sërë apartamentesh nga Shkodra në Tiranë, për të cilat nuk justifikonte pasurinë. Përveç këtyre, gjyqtari Admir Thanza rezultoi me probleme dhe sa i takon pastërtisë së figurës. Nga të dhënat e DSIK rezultonte se gjyqtari kishte kontakte të papërshtatshme me elementë kriminalë.