Nga Entela Resuli
Dy vitet e fundit kisha dëgjuar shumë për lumin e Shalës dhe për faktin se si po kthehet në një destinacion të shumëkërkuar nga turistët.
Këtë të diel iu bashkova një grupi udhëtarësh dhe u nisa për të parë nga afër atë që e quajnë “Tajlanda” shqiptare .
Herët në mëngjes u nisëm nga Tirana dhe pas rreth dy orë rrugë mbërritëm në Vaun e Dejës.
Teksa mendonim se ishim shumë pranë pikës kur do të niseshim me varka drejtë Lumit të Shalës, na u desh ta kalisnim durimin për më shumë se një orë, pasi një rrugë e pashtruar që na çonte deri në pikën e nisjes së trageteve e bënte të vështirë që furgoni të ecte me shpejtësi normale.
Megjithatë, sapo arritën në pikën e nisjes së mjeteve të lundrimit, harron çdo gjë…
Aventura filloi!
15 persona hipën në një varkë e cila kishte kapacitet për 25 persona.
Lundrimi për në grykëderdhjen e Shalës zgjatë 1 orë e 30 minuta.
Çmimi vajtje ardhje është 10 mijë lekë të vjetra. Pozicionohemi të gjithë në varkë dhe jemi gati për t’u nisur.
-Pa jelek shpëtimi- pyes e habitur duke u drejtuar nga “shoferi” i varkës! -Ec, se nuk të lë njeri të mbytesh, – me drejtohet ai me një ton të sigurt zëri!
Pash rrotull, 20 varka po bëheshin gati për nisje, asnjë me jelek(!)
Lundrimi drejt Lumit të Shalës ishte i qetë, ku syri të shihte vetëm gjelbërim, si rreth e rrotull në male, ashtu edhe në ujë. Diku në mes të lundrimit, shfaqen disa koshere bletësh të vendosura në mes të bimësisë përgjatë rrjedhës së liqenit.
Pyetja se si i kanë vendosur ato koshere aty, na pushton të gjithëve! Me tej, shohim shtëpi. Madje shohim edhe fshatra. Po po, fshatra, të cilët zbresin në Koman vetëm më anë të varkave, sepse rrugë tokësore nuk ka.
Mbërritja në Luginën e Shalës ishte si zbritje në parajsë.
Ishim në pikën ku uji i ftohtë i lumit i cili buron rrëzë Alpeve Shqiptare bashkohet me liqenin e Komanit.
Të dukej vetja i pushtuar nga natyra. Gjendesh e zhytur mes maleve të thepisur, shtruar me gurë të bardhë dhe rrethoheshe nga uji i kristaltë dhe gjelbërimi nga të gjitha anët.
Dy-tre bujtina prej druri ofronin shërbim në ushqim dhe fjetje, por me mundësi të kufizuara.
Mund të bësh plazh apo ecje duke eksploruar zonën rretheqark. Rekomandohet që të merret ushqim me vetë pasi, sidomos në fundjavë, për shkak të fluksit të madh të turistëve, ato dy restorante nuk mund të përballojnë kërkesat.
Uji i lumit është shumë i ftohtë, por nuk duhet të largohesh nga aty pa e bërë një zhytje.
Kthimi për në Koman është më i qetë, teksa ke parë atë mrekulli natyrore, gjithë janë duke e shijuar lundrimin me varkë.
Zefi dhe gojëdhënat se si e kanë dëbuar familjen e Berishës nga fshati pasi kishin vjedhur një… lopë!
Djali që drejtonte varkën ishte një banorë i zonës. Zef Berisha është 26 vjeç.
Prej 6 vitesh, në sezonin e verës ai punon me turistët, të cilët i transporton ata nga Komani për në Shalë.
Ka parë dhe takuar shumë njerëz, shqiptarë e të huaj. Është bërë mjeshtër në komunikim, po ashtu edhe për të menaxhuar fobinë e ndokujt që ka frikë nga uji dhe lundrimi.
Pëlqen më shumë të ketë pasagjerë të huaj dhe për këtë e ka një argument bindës.
“Ata janë të qetë, e shijojnë udhëtimin dhe nuk të bëjnë pyetje të kot. Mbi të gjitha janë turist tamam”- tregon Zefi duke nënkuptuar që shqiptarët nuk janë të disiplinuar.
“Shqiptarët? Janë tekanjoz dhe të padisiplinuar. Nejse, ka njerëz të ndryshëm, por po them në përgjithësi”- tregon ai duke u munduar të mos i fus të gjithë në një thes.
Për Zefin kjo është një punë që nuk e ka bërë të pasur, por me të jeton, e mban familjen. Ai ka tre vëllezër dhe katër motra. Vëllezërit bëjnë të njëjtën punë si ai.
Shala u ka dhënë mundësi shumë banorëve të zonës të kenë një punë, të paktën në këtë periudhë të vitit dhe kjo është një gjë e mirë për ta.
Na shfaqen shtëpitë për të cilat kishim shumë pyetje mbi mënyrën se si mund të jetohet në to.
–Zef, në ato shtëpi banojnë njerëz?
“Sigurisht”, përgjigjet ai me siguri. -Po si? “Ka shumë shtëpi përgjatë liqenit të Komanit dhe njerëz që jetojnë në to. Nuk kanë mundësi të zbresin poshtë, aty kanë tokat, aty janë mësuar dhe nuk preferojnë të lëvizin”!
Duket e çuditshme që në Shqipëri të ketë banesa në mes të malit, pa asnjë rrugë kalimi, ku e vetmja mundësi është lundrimi përmes liqenit.
Teksa lundrojmë edhe pak, Zefi na tregon fshatin e tij.
-Ky është fshati Berishë. Këtu banoj unë- na tregona ai. Fshati kishte diku te 30 shtëpi me oborre dhe lule që i zbukuronin ato.
Vazhdon pyetja: -Po si ia bëni, si zbrisni në Koman? Më varkë,- përgjigjet ai me qetësi ku duket se e mirëkupton kuriozitetin tonë. “Çdo shtëpi në fshat ka një varkë. Siç keni ju makinat andej nga jeni, ne kemi varkat. Nëse duam të vijmë në Shkodër apo gjetkë, për ndonjë vizitë apo hall që kemi, marrim varkën, lundrojmë më shumë se një orë me të, vijmë në Koman dhe më pas marrim makinën për të bërë punët që kemi!”- tregon Zefi.
-Po kur keni njerëz të sëmurë, si ia bëni? Me varkë- vazhdon ai.
–Po kur martoni dikë në fshat?
Ja këtë javë kemi një dasmë. Edhe nusen me varkë e çojmë në fshat dhe të shihni se si e zbukurojmë këtë “arushën”- flet, teksa i drejtohet mjetit të tij lundrues.
-Zef Berisha? Ke ndonjë lidhje me ish-kryeministrin, pasi edhe fshati e paska emrin Berishë?
Jo, nuk besoj se kam, por di që të parët e tij kanë qenë nga fshati ynë. Madje gojëdhënat thonë se familjen e tij e ka dëbuar prifti i fshatit, pasi të parët e tij, sipas asaj çka na kanë treguar, kanë vjedhur një lopë. Edhe atëherë ishte e pakuptueshme që të vidhje lopën e bashkëfshatarit tënd. Kështu kam dëgjuar. Ai (Sali Berisha) sa ka qenë në pushtet nuk ka pyetur shumë për ne. As na ka ndihmuar as nuk na ka bërë ndonjë punë, kështu që unë nuk e preferoj fare. Edhe pse familjen e kam të djathtë dhe im atë e simpatizon shumë atë, unë për vete nuk e duroj dot.
-Na habite, një Berishë që nuk duron dot Berishën?!
Po ja që ndodh. As nuk dua të merrem me politikë fare, por që kështu mendoj.