Secili do të përgjigjet për gjithçka ka bërë dhe gjithçka është, duke filluar nga gjyqtarët kushtetues deri tek gjyqtari dhe prokurori më i thjeshtë. Ai që ia ka bërë vendin të përgjigjet, të shkojë në ferr”, kështu do të deklaronte Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016 kur nga kjo gjykatë pritej vendimi për ligjin e vettingut. Duke përdorur figurativisht shprehjen “le të shkojnë në Ferr”, kreu i gjykatës kushtetuesë foli pa mëshirë për të gjtihë ata që kishin gabuar gjatë ushtrimit të detyrës në sistemin e drejtësisë.
Mesa duket ai nuk e kishte menduar ndëshkimin që do i vinte pak vite më vonë nga ai proces që e parashikonte të drejtë dhe të domosdoshëm. Shtatë vite më vonë Bashkim Dedja do të ishte gjyqtari i parë i i shkarkuar nga Vetting që do të dënohej nga SPAK. në qershor 2023, gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit dënoi me 6 muaj burg ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetueses, Bashkim Dedja, i cili akuzohej për fshehje të pasurisë. Dënimi u konvertua në 1 vit shërbim prove. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese do të ishte njëri prej më shumë se 400 pjesëtarë të sistemit të dcrejtësisë që u skualifikuan nga procesi i Vetting-ut.
U quajt Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK dhe nisi punën më 8 shkurt 2018 deri në datën 31 tetor 2024, për të kaluar në vetting 805 anëtarë të sistemit. Nga 799 vendime, pra priteshin edhe 6 të tjera për ta përmbyllur të gjithë procesin prej 805 magjistratëve që kaluan në sitën e këtij komisioni.
Procesi i Vettingut ka përfunduar dhe bilanci është dramatik për njerëzit e sistemit. Prej 805 gjyqtarëve, prokurorëve dhe ndihmësit ligjorë, kanë kaluar vettingun vetëm 373 prej tyre, mes të cilëve 165 gjyqtarë, 167 prokurorë, 2 ishin inspektorë në KLD, 2 inspektor në KLGJ dhe 37 ndihmës/ këshilltarë ligjorë. Gjatë këtij procesi, 432 të tjerë kanë rezultuar me probleme të niveleve të dnryshme duke u përjashtuar nga sistemi i9 drejtësisë. Sipas statistikave të Vetting, 268 magjistratë janë konsideruar si problematikë nga KPK, në të paktën një prej shtyllave të rivlerësimit, dhe janë marrë vendime për shkarkim.
Nga këta 146 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në Gjykatën e Lartë; 116 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë. 49 vendime janë për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, nga të cilët 26 ish-gjyqtarë, 17 prokurorë; 1 ish- kryeinspektor në KLD; 2 ish-inspektorë në KLD dhe 3 ndihmës ligjorë. 105 vendime për ndërprerje të procesit për shkak të dorëheqjes; 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ishprokuror; 1 ish gjyqtar, 1 ishinspektor në KLD dhe 14 ndihmës ligjorë.
Pas përfundimit të procesit në KPK, vetingu do të vazhdojë në shkallën e dytë në KPA, anëtarët e të cilës kanë një mandat 9 vjeçar, deri në fund të vitit 2026. Mbrojtjen e rekomandimeve të ONM nuk do ta bëjë me Komisioneri Publik që i mbaron mandati njëjtë si me KPK, por sipas Kushtetutës, prokurorët e SPAK. Komisionerët publikë kanë kërkuar që t’i bashkëngjiten Prokurorisë së Posaçme, ndërsa anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të marrin statusin e gjyqtarit, ndonëse ende nuk janë përcaktuar pozicionet e reja të tyre./Tema