Pritshmëritë ishin të larta, por askush nuk e kishte menduar që Lara Colturi këtë të shtunë do shkruante historinë në Botërorin e skive. 18-vjeçarja e cila përfaqëson Shqipërinë, u rendit e dyta në Slalomin e Austrisë, menjëherë pas super kampiones Mikaela Shiffrin. Kjo është hera e parë që një sportiste e cila përfaqëson Shqipërinë në sportin e skive ngjitet në podiumin e një botërori.
“Në muajt e fundit jam ndjerë shumë mirë, sidomos në stërvitje. Më në fund ia arrita të bëj atë që shpesh ushtroj në stërvitje. Jam shumë e lumtur pavarësisht se në garën e kaluar një gabim i vogël më kushtoi shumë. Do ti thoja të gjithë shqiptarëve që sot janë ndjerë krenarë që të bëni atë që ju më shumë doni,”-u shpreh skiatorja Lara Colturi.
Rezultati më i mirë i Larës deri më tani ishte vendi i 9, ndërsa kjo në Austri ishte gara e tretë sezonale e Colturit. Javën e ardhshme skiatorja e cila përfaqëson Shqipërinë do garojë në Killington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Skiatoren Colturi e uroi kryeministri Edi Rama si edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili e quajti një super lajm.
“Skiatorja Lara Colturi, e cila përfaqëson Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Skive, ka arritur një rezultat historik, duke u renditur e 2-ta në këtë garë të rëndësishme sportive, dhe duke e ngritur për herë të parë flamurin shqiptar në podiumin e një kampionati botëror skish”, shkruan Rama.
“Super lajm! Skiatorja e KS Tirana, Lara Colturi, renditet e 2-ta në Kampionatin Botëror të Skive. Për herë të parë, flamuri shqiptar do të ngrihet në podiumin e një kampionati botëror skish”, shkruan Veliaj.